Ashtu siç ishte paralajmëruar, ditën e sotme në sallën e mbledhjeve të Autoritetit Portual Durrës u zhvillua takimi i Shoqatës së Detarëve Adrijon.

Në takim morën pjesë kryesia aktuale e shoqatës Adrijon, Kapitenë, Detarë në pension e aktivë, etj.

Fillimisht, kryetari i shoqatës, Aleksandër Gjermeni, prezantoi rendin e ditës të takimit dhe në emër të kryesisë prezantoi raportin mbi aktivitetin 4-vjeçar të shoqatës. …Gjatë kësaj periudhe kryesia e shoqatës është munduar të  mbajë gjallë shoqatën nëpërmjet aktiviteteve të herëpashershme, ku spikat ekspozita e hapur në muajin tetor me tematikë “Detaria shqiptare në shekuj”. Ekspozita që pati një pjesmarrje masive, shprehu qartë se “qytetarët durrsakë e duan profesionin e detarit dhe e respektojnë atë. Mbi të gjitha ajo ishte një atraksion për qytetin e Durrësit…”, theksoi Gjermeni.

Me këtë rast ai falenderoi të gjithë ata persona juridikë që me dashamirësi kanë ndihmuar shoqatën në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të deritanishme.

Më pas ai u ndal në vështirërësitë e hasura për organizimin dhe funksionimin normal të shoqatës, për shkak të mangësive në dokumentacion dhe kërkesave ligjore aktuale për një shoqatë të këtij lloji.

Aktualisht këto mangësi në dokumentacion kanë sjellë që shoqata të mos ketë një llogari bankare të vetën, e cila vështirëson funksionimin e saj. Pavarësisht përpjekjeve, janë një sërë procedurash tekniko-burokratike të cilat duhen kapërcyer, të cilat kërkojnë mirëkuptim dhe mbështetje nga të gjithë anëtarët e shoqatës.

Gjithashtu kryetari i shoqatës nënvizoi dhe faktin e pjesmarrjes së detarëve në të, që rrine larg saj dhe presin “çfarë bën shoqata për ne?” Që shoqata të kapë rritimin e kohës duhet që secili të japë kontributin e tij, se si mund të përmirësohet puna konkretisht, dhe jo vetëm në kafene.

Në fund të raportit kryetari i shoqatës shtroi disa alternativa se si, mund të dilet nga situata e ngërci aktual që po kalon shoqata kryesore e detarëve në vendin tonë.

Kjo u shoqërua me pyetje e diskutime të shumta. Pjesmarrësit rrahën mendime të ndryshme të cilat mund te sjellin përmirësim rrënjësor të punës për anëtarët adrijonas.

U shtjellua nevoja për bashkim të detarëve, për angazhimin e tyre, plotësimin e dokumentacionit, të kuadrit ligjor, të statutit, të përballjes me institucionet private e shtetërore në mbrojtjen e të drejtave të detarëve, ruajtjen e trashëgimisë historike të detarëve shqiptarë, të shtrirjes së aktivitetit të shoqatës në mbarë vendin, organizmin strukturor, sistemin e lajmërimit, etj. të cilat do sjellin ndryshime pozitive të jetës së shoqatës ~ADRIJON.

Është nonsens që shtresa e detarëve shqiptarë, më e sakrifikuara, me nivel intelektual e profesional të admirueshëm dhe qytetari të spikatur, mos ketë një shoqatë dinjitoze e masive. Për këtë duhet angazhim e përgjegjsi nga të gjithë brezat e detarëve pavarësisht statusit që kanë.

Në fund të takimit, pjesmarrësit morën këtë vendim:

Me qëllim që të eleminohen mangësitë e vërejtura në dokumentacionin ligjor aktual të shoqatës, kryesia ekzistuese e shoqatës, të kryejë veprimet e nevojshme sipas për riformatimin e riorganizimin e shoqatës sipas legjislacionit bashkëkohor e kërkesave në fuqi.

Shefqet Kërcelli