Banorët e Shijakut, Katër Rrugëve dhe Xhafzotajt janë ngritur sot në protestë për infrastrukturën e rënduar të rrugës që lidh qytetin e Durrësit me Shijakun.
Protestuesit në shenjë revolte bllokuan për disa minuta rrugën me kazanët e mbeturinave, duke mos lejuar makinat të kalojnë.
“Taksat i jap për asfalt jo për xhungël”, thotë një protestues për mediat. “Kërkojmë investimin e taksave tona. Këtu po pate ndonjë fatkeqësi, urgjencë nuk arrin kurrë të shkosh në spital në kohën e duhur.”, shprehet një tjetër.
Ndërsa një protestues thotë: “Turp të ketë qeveria, Edi Rama. Është fatkeqësi e madhe që të jetë ai kryetar shteti.”
Aksi Shijak-Durrës nga Kodra e Rrashbullit e deri në afersi të Katër Rrugëve është totalisht i amortizuar dhe i pakalueshëm. Edhe pse vetëm 5 kilometër e gjatë kjo rrugë është lënë në harresë nga autoritetet pas ndërtimit të autostradës Tiranë-Durrës.
Protestat e banorëve të kësaj zone kanë qenë të vazhdueshme herë pas here, që problemi i tyre të mund të marrë zgjidhje, por asgjë deri më sot nuk ka ndryshuar. Madje as pas premtimit të vetë kryeministrit Edi Rama dy vite më parë se do të kryhet rikonstruksioni i rrugës.





