Banorët e njësisë administrative Sukth kanë protestuar sot për mosverifikimin e objekteve të dëmtuara prej tërmetit nga ana e ekspertëve.
Të mbështetur edhe nga drejtues të Partisë Demokratike dega Durrës, banorët ankohen se janë harruar nga pushteti lokal e qendror si dhe kanë mbetur mes katër rrugëve, pa shtëpi dhe pa bonus qiraje.
“Qeveria, shteti nuk ka ardh të na shohë. Një muaj e gjysmë kemi qëndruar në hotel, pastaj na thanë dilni jashtë se ka dalë bonusi i qirasë. As bonus qiraje asnjë gjë. Qeveritarët vijnë vetëm kur janë zgjedhjet, i blejnë votat.“, thotë një banor.
Kryetari i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferraj akuzoi qeverinë dhe bashkinë e Durrësit për braktisjen dhe papërgjegjshmërinë që kanë treguar për qytetarët.
“Qeveria jo vetëm që nuk ka filluar të punojë por akoma nuk perceptuar se çfarë pune ka për të bërë”, thotë ai.
Sipas Xhaferrajt, opozita, Partia Demokratike ka bërë atë duhet të bëjë çdo opozitë serioze dhe e përgjegjshme që nga dita e parë. “Më kryesorja, jemi gjendur pranë qytetarëve, në fshat dhe qytet dhe njëkohësisht i kemi sygjeruar qeverisë se çfarë duhet të bëjë.”





