Situata politike, në të  cilën është futur vendi, duket se ka shqetësuar edhe Parlamentin Europian. Vendimi i opozitës për të  djegur mandatet parlamentare, i konkretizuar tanimë,  dhe është çështje kohe fillimi i zëvendësimit të tyre, ka  vënë në lëvizje edhe deputetët e Parlamentit Europian.

Ditën e djeshme u bë me dije se një delegacion i deputetëve europianë pritet të vizitojë Shqipërinë në datën 27 shkurt. Mësohet se deputetët e PD-së do të zhvillojnë takime me figurat kryesore politike në vend për të krijuar një panoramë më të qartë të situatës politike të  krijuar në Shqipëri pas djegies së mandateve nga opozita. Pas takimeve që do të zhvillojnë me përfaqësuesit  kryesorë politikë në vend, delegacioni i Komisionit të  Jashtëm në Parlamentin Europian do të dalë në një deklaratë të përbashkët për mediat, e cila pritet të japë edhe  nxitjen e parë për kapërcimin  e ngërçit politik që është krijuar.

Kujtojmë se dy ditë më parë, opozita e bashkuar  dorëzoi mandatet parlamen- tare, ndërsa njoftoi protesta  në të gjithë vendin kundër qeverisë. Për herë të parë në  30 vite pluralizëm në Shqipëri, partitë opozitare morën një vendim të paprecedent, atë të djegies së mandateve. Opozita kërkon një  qeveri tranzitore, zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare pa Edi Ramën Kryeministër, pasi, sipas tyre,  në këtë mënyrë do të garantohet një proces i pastër zgjedhor.

Por ky vendim i ndërmarrë nga opozita duket  se nuk ka qenë shumë i pëlqyer nga ndërkombëtarët. Selitë diplomatike në Tiranë e  kanë kundërshtuar atë, duke theksuar se një vendim i tillë  do të dëmtojë procesin integrues të vendit, ku pritet që  në qershor të merret edhe vendimi nëse do të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian apo jo. Deri tani, ndërkombëtarët kanë theksuar se ngjarjet e fundit politike në vend e kanë  përkeqësuar situatën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi krijojnë pasiguri për stabilitetin politik.