Kur protesta e së shtunës u mbyll papritmas dhe Basha deklaroi se ajo do të vazhdonte të enjten para parlamentit, shumëkush mbeti i hutuar dhe i çuditur. Ai qe një vendim i papritur dhe i pashpjegueshëm. Aq më tepër që vetëm pak minuta më parë (pra dhe para atij çastit kur krerët e partive u konsultuan në shesh) Monika Kryemadhi, i pati deklaruar mediave se ata do të vazhdonin të qëndronin deri në rrëzimin e Ramës.
Mbyllja e beftë dhe aspak logjike ngriti shumë pikpyetje: a e dinte Lulzim Basha se ç’po bënte? A kishte ai një plan?
Sikurse u pa më vonë, këtë radhë, kreu demokrat kishte vendosur të luante solo. Ti printe vetë rrugës së radikalizmit pa u konsultuar me krerët e tjerë të partive aleate.
Dhe kjo u duk, kur për surprizën e të gjithëve, Basha doli një ditë më pas të shpallte bombën e djegies së mandateve. Konfuzioni qe i madh. Si do reagonte opozita? A do përçahej, duke ditur se LSI qe e prerë në qëndrimin se nuk i djegim mandatet e fituara me gjak? Deri në fund, te ky bast, besoi edhe Edi Rama që u tha deputetëve të tij se Luli po bën bllof dhe se opozita nuk ka konsensus për këtë kauzë.
Të hënën në mëngjes tre burime të ndryshme thanë për Lapsi.al se Monika Kryemadhi dhe dy kryetarë partish të vogla ankoheshin se “Luli as mori mundimin të na njoftojë”. Dilemat bëheshin edhe më të mëdha kur mediat e pushtetit hapnin fjalë deputetët e vet nuk do t'i bindeshin kryetarit të PD. Në orët e para të fillimit të javës opozita dukej në prag të përçarjes.
Por në mbledhjen e grupit paralamentar të demokratëve të gjithë u solidarizuan një nga një me vendimin. Edhe aleatët e vegjël, me gjithë hezitimet e shumta, që shkonin nga hatërmbetja për begenisje e deri te keqardhja për ofiqin e braktisur u solidarizuan njëzëri. Në fund edhe LSI nuk pati rrugë tjetër. Ndryshe nga sa mendohej i gjithë aksioni u mbyll vetëm me një firo, ish-ministrin e Ramës, Lefter Koka.
Megjithëse me një qasje aspak kolegjale dhe bashkëpunuese, Basha e fitoi aksionin e tij, duke i vënë aleatët përballë faktit të kryer. “Nëse do të kishte ndjekur rrugë tjetër, nëse do ishte treguar më demokrat, nëse do kishe filluar konsultime me koalicionin, do kishte dëgjuar argimentat evazive te LSI dhe prroin psikik të Fatmir Mediut dhe kjongjë nuk do realozohej kurrë. Ai thjesht vendosi dhe i detyroi të tjerët 'i vinin nga pas” tha për Lapsi.al një burim brenda selisë blu.
Nuk ka diskutim se për këtë Basha përdori protestën e 16 shkurtit, radikalizmin e parapergatitur të saj dhe mbylljen e beftë e vendosi, se ai qe i vetmi që e dinte se ç’do bënte të nesërmen. Ai i vuri kundërshtarët dhe bashkëpunëtorët përpara efektit surprizë dhe kjo qe hilja ndofta e domosdoshme, që e bëri t'ia dalë në në idenë e tij.
/Lapsi.al/





