Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur në Kavajë turin e takimeve me të rinj e qytetarë të Shqipërisë, ku u shpreh se opozita po ngrihet për t’i dhënë fund një shteti grabitqar dhe për të ndërtuar një tjetër kontratë sociale me popullin.
“Edi Rama vazhdon të detyrojë prindërit tuaj që të paguajnë taksat më të larta në Europë. Për shkak të këtyre taksave, paguajnë karburantin më të lartë në Europë, paguajnë energjinë më të lartë në rajon. Për shkak të taksave mbyllen 50 biznese në ditë. 50 kryefamiljarë që dalin në mes të rrugës. Këto taksa nuk përdoren për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Për të përmirësuar cilësinë e kopshteve, shkollave, apo për të siguruar një arsim cilësor universitar”, u shpreh Basha.
Këto taksa, sipas tij, në vend që të shkojnë për të lehtësuar kushtet e qytetarëve dhe për të mundësuar një arsim cilësor, “vidhen dhe shpërdorohen nga 3 apo 4 duar që fitojnë PPP-të e famshme”.
“Tani na thotë që më 1 korrik nuk do të ketë më PPP. Normalisht, se deri më 1 korrik nuk do ketë më lekë. Shqipëria do të jetë vjedhur për 15 vitet e ardhshme. Taksat që i kanë shkuar shtetit do të kenë shkuar në xhepat e një bande oligarke, biznesmenësh grabitqarë, që nuk e meritojnë emrin biznes, se vetëm me biznes nuk merren, por vetëm me vjeshje. Për 15-20 vitet e ardhshme. Dhe kjo do të ndodhë nëqoftëse e lejojmë ne dhe ju”, deklaroi Basha.
Duke iu bërë pyetjen, nëse janë të gatshëm ta lejojnë vazhdimin e zhvatjes, Basha u bëri thirrje kavajasve të ngrihen dhe të bëjnë detyrën e tyre për të rikthyer një kontratë sociale mes shqiptarëve.
“Një shtet që nuk bën ligje për të vjedhur qytetarët, por për t’i shërbyer çdo qytetari. Po ngrihemi për t’i dhënë fund një shteti grabitqar, dhe për të ndërtuar një tjetër kontratë sociale me të gjithë shqiptarët që duan atdheun e tyre, vendin e tyre”, tha Basha, i cili vlerësoi pritjen e jashtëzakonshme nga të rinjtë në Kavajë.





