Gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit, përfaqësuesi i PD, Genc Pollo kërkoi nga qeveria të raportojë për ecurinë e integrimit si dhe ecurinë e 5 prioriteteve kyçe, kërkesë që është pranuar nga mazhoranca.

Gjatë fjalës së tij në komision, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përgëzoi opozitën për rikthimin në komisionet parlamentare dhe u shpreh se  qeveria deri në fund të muajit shkurt ka detyrim të sjellë raportin për integrimin që duhet shoqëruar edhe me diskutim në seancën plenare.

I pyetur nga Aldo Bumçi se kush është qëndrimi i qeverisë për ndryshimin e kufijve, Balla tha se Kosova është një shtet sovran dhe Shqipëria nuk ndërhyn në politikën e saj të jashtme.

"Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, por ne nuk ndërhyjmë në politikën e jashtme të Kosovës. Qëndrimi i qeverisë shqiptare është që Shqipëria mbështet dialogun e shtetit sovran të Kosovës me shtetin e Serbisë.Ne nuk mund të ndërhyjmë në politikën e jashtme të shtetit sovran të Kosovës", tha ai.