Autoriteti Portual i Durrësit, edhe këtë vit është pjesëmarrës në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës 2018, i cili hapi dyert mbrëmjen e kaluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Në ceremoninë e përurimit të këtij Panairi, Sonila Qato, ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjen, vlerësoi pjesëmarrjen në këtë edicion të 25-të, të kompanive dhe bizneseve vendase e të huaja në sektorin industrisë së rëndë e të lehtë, industrinë tekstile, fasone, dhe sektorin e shërbimeve e komunikimit.
Stenda e APD ka zënë vend në Sallonin Ndërkombëtar Energji, Transport & Infrastrukturë, nën kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës. Ajo u vizitua nga qytetarë dhe drejtues biznesesh të interesuar për përpunimin e mallrave dhe transportin detar.
Në stedën e APD u ndal dhe bashkëbisedoi gjatë me punonjësit e sektorit të Promocionit znj. Sanja Bujas-Juraga, ambasadore e Kroacisë në Tiranë.
Në muajin maj të këtij viti përfaqësuesit e Autoritetit Portual Durrës (APD) dhe homologët e tyre të portit të Rijekës në Kroaci nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e transportit detar dhe të industrisë portuale.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës krijon mundësinë për çdo biznes për të promovuar markën përmes shërbimeve ose produkteve të tyre para një publiku jo vetëm kombëtar.