Forcat e repartit zjarrfikës të Autoritetit Portual kontribuan për afro një javë në zgjidhjen e situatës emergjente në venddepozitimin e plehrave në afërsi të Porto-Romanos.
Prefekti i qarkut të Durrësit dhe Krujës, Roland Nasto, së bashku me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të APD, Afrim Bakaj, vizituan mesditën e së hënës repartin zjarrrfikës dhe u takuan me drejtues dhe punonjës zjarrfikës.
Nasto falënderoi përzemersisht punonjësit e repartit zjarrfikës të APD, të cilët së bashku me zjarrfikësit e qytetit punuan intensivisht në mbështetje të komunitetit për zgjidhjen e situatës emergjente dhe shuarjen e plotë të zjarreve në venddepozitimin e mbeturinave.
Punonjësit dhe drejtuesit e repartit te PMNZSH në portin e Durrësit morën falenderime nga Drejtori i pergjithshëm i APD, Afrim Bakaj, i cili kujtoi edhe punën e kryer nga forcat zjarrfikëse në shërbim të komunitetit gjatë emergjencave në stinën e thatë të verës, si dhe në rastet e përmbytjeve në periferi dhe në fshatrat pranë qytetit.