Qeveria ka akorduar fonde në buxhetin e vitit 2019, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për investime në portet detare – raportoi dje Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Ministri Damian Gjiknuri tha në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, se këtë vit do të vazhdojnë investimet në portin e Vlorës, në terminalin e ri.
Gjiknuri shpjegoi se do të investohet edhe në portin e Durrësit edhe pse ky port është në përdorim nga koncesionar privat.
“Në portin e Durrësit ne kemi hapur garën për thellimin e portit për të bërë të mundur hyrjen e anijeve me kapacitet të madh, pasi porti i Durrësit rrezikon të bllokohet, ka nevojë për gërmim, thellim të kanalit e rritjen e thellësisë mbi 12 metra. Fondet janë gati, gara do çelet këtë vit. Pra në krye të 6 muajve porti i Durrësit do të jetë gati për të pritur anije të mëdha”.
Një tjetër investim që pritet të bëhet gjatë vitit 2019 në infrastrukturën portuale, është dhe terminali i Kroçerave në Durrës.
Ministri Gjiknuri tha se “po shikojmë mundësinë përmes një investimi privat, për të ndërtuar një terminal për Kroçerat në Durrës. Është rritur interesi për ardhjen e kroçerave”, tha ai.