Në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit në Tiranë, si dhe në disa arkiva shtetërore dhe private në Itali ndodhen planimetritë dhe projektet e ndërtimit të portit modern të Durrësit, duke nisur që nga mesi i viteve 1920.
Në librin “Tracce dell’Architettura italiana in Albania 1925-1943”, publikuar si album në Itali nga studiuesi Armand Vokshi, së bashku me dokumente të shumta për zhvillimin e Durrësit dhe qyteteve të tjera të vendit tonë bëhen të njohura edhe planimetritë dhe projektet për ndërtimin e godinave në hyrje të portit.
Projektet e arkitektëve urbanistë Luigi Luigi, Kohler (Austri), etj. u zbatuan plotësisht apo pjesërisht në bonifikimin e hapësirave përreth portit, ndërtimin e kalatave, etj.
Po ashtu prezantohen edhe projektet për ndërtimin e godinave portuale aktuale të drejtorisë ekzekutive të APD-së, të cilat fillimisht u përdorën nga Komanda e Marinës dhe Dogana.
Viti 1928 shënon fillimin e punimeve në portin e Durrësit, që vazhdon të modernizohet e zgjerohet edhe sot.