Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në policinë e shtetit thotë se deklaratat e oficerit të policisë gjyqësore Emiliano Nuhu të bërë në një intervistë televizve janë të pabaza.

Drejtoresha e SHÇBA-së, Anila Trimi, në një deklaratë për mediat tha se pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera rezulton se oficeri e ka marrë këtë çështje në hetim në 27 korrik 2018 dhe jo në 21 korrik siç pretendon.

Trimi:  Nga ky aktivitet, deri tani janë verifikuar disa rrethana dhe fakte:

1. Nga intervistat e drejtuesit dhe punonjësve të Policisë së Stacionit Fushë Krujë rezulton se më datë 21/07/2018, pra data e pretenduar, nga ish punonjesi Nuhu nuk ka qenë fare prezent në ambientet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë.

2. Nga Urdhri i Brendshëm për planëzimin e shërbimit, rezulton se, më datë 21/07/2018, Emiljano Nuhu nuk ka qenë OPGJ i gatshëm, por një tjetër punonjës i Policisë së Shtetit.

3. Nga intervistat dhe dokumentet si dhe shqyrtimi i pamjeve filmike në dispozicion, nuk rezulton që personat e përmendur në intervistë, si kërcënues të tij, të kenë qenë prezent në ambientet e Stacionit të Policisë së Shtetit në fushe Krujë, as në këtë datë dhe as në ndonjë datë tjetër të mëvonshme.

4. Nga Urdhri i Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Krujë, rezulton se vetëm në datë 27/07/2018, Emiljano Nuhu është ngarkuar për hetimin e kësaj çështjeje.

5. Nga shqyrtimi i fashikullit të hetimit rezulton se nga 11 veprime hetimore të deleguara nga Prokurori i çështjes, Emiljano Nuhu ka kryer vetëm 4 prej tyre.

6. Nga ekzaminimi i pamjeve filmike dhe komunikimeve elektronike, rezulton se Emiljano Nuhu takohet, ndër të tjerë, me personin nën hetim, në ambientet e një lokali privat, në Tiranë më datë 30/07/2018. Nga pamjet dhe komunikimi elektronik krijohet bindja e një takimi mes personash të njohur, mgjate kjo eshte nje rrethane qe do te verifikohet nga organet qe udheheqin hetimin ne kete rast.

7. Nga dokumentet rezulton se Emiljano Nuhu nuk paraqitet në detyrë që nga data 14/09/2018.

8. Më datën 15/09/2018, Emiliano Nuhu, rezulton të ketë udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës drejt një vendi të Bashkimit Europian. Në sistemet e Republikës së Shqipërisë apo ato të Republikës së Kosovës, Emiliano Nuhu nuk rezulton i regjistruar në hyrje-dalje, në asnjërën nga Pikat e Kalimit Kufitar Shqiptare apo Kosovare.

9. Me datën 16.09.2018, Emiliano Nuhu, i ka telefonuar nga jashtë Shqipërisë, punonjës policie, të cilit i ka kërkuar të marrë armatimin personal, pistoletë, te cilen e kishte lene tek vjehrri i tij, për ta dorëzuar më pas.