Autoritetet amerikane kanë arrestuar 105 persona gjatë një operacioni të shtrirë në një hark prej 10 ditësh. Në faqen zyrtare të Departamentit të Sigurisë Kombëtare bëhet me dije se janë arrestuar shtetas të huaj që kishin probleme me ligjin, mes tyre edhe shqiptarë.
Operacioni u përqendrua në Michigan dhe Ohajo, ndërsa të gjithë të arrestuarit dyshoheshin për krime si: Dhunë në familje, vjedhje, ndikimi i drogës, sjellja kriminale seksuale e shkallës së dytë, si dhe shitja dhe shpërndara e lëndëve narkotike të llojit marijuanë.
“Ky operacion pasqyron përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur sigurinë publike duke u fokusuar në heqjen e të huajve kriminelë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare Amerikane.
Të arrestuarit (96 meshkuj dhe 9 femra) përfshinin shtetas nga 21 vende të ndryshme si: Shqipëria, Burma, Kina, Kosta Rika, Republika Çeke, Ekuadori, El Salvador, Guatemala, Haiti, Hondurasi, India, Iraku, Jordania, Libani, Maqedonia, Ishujt Marshall , Mauritania, Meksika, Surinami, Vietnami dhe Jemeni.





