Zbardhet vrasja e të moshuarës 83-vjeçare Floresha Shkurti, ditën e sotme në Durrës.
Burime nga organi i akuzës konfirmojnë për DurrësLajm se gjatë marrjes në pyetje të nipit të gruas së moshuar ai ka pranuar se ka qenë autor i krimit të rëndë.
Gjatë marrjes në pyetje, prokurori Pal Decolli ka arritur t’i shkëpusë nipit të Floreshës pohimin se ka qenë pikërisht ai që ka shkaktuar vdekjen e gjyshes së tij duke e goditur në kokë.
Kështu arrin të zgjidhet në një kohë mjaft të shkurtër, misteri i kësaj ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik në Durrës gjatë ditës së enjte.
Që nga momenti i gjetjes së trupit të pajetë të gruas së moshuar në shtëpinë e saj, policia dhe prokuroria patën dyshime se mund të bëhej fjalë për vrasje dhe jo vdekje natyrale.
Dyshimet u përqendruan që në fillim tek nipi i viktimës, i cili, mbrëmjen e sotme, pohoi para prokurorit Decolli autorësinë e krimit.
Më herët, qenë burime nga ekspertiza mjeko-ligjore që konfirmuan për DurrësLajm se vdekja e Floresha Shkurtit erdhi si pasojë e një goditjeje në kokë.
Tashmë pritet nga policia zbardhja e identitetit të autorit të vrasjes së 83-vjeçares Floresha Shkurti dhe arrestimi i tij.





