Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me artistët për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar duke i dhënë fund mosmarrëvesheve për këtë çështje.

Në një status në Facebook, Veliaj ka postuar një foto me aktorët Arben Derhemi, Alfred Trebica dhe regjisorin Altin Basha, të cilët kanë qenë skeptikë për ndërtimin e një Teatri te ri Kombëtar, ndërsa shkruan se kur ka vullnet, ka rrugëzgjidhje.

"Kur ka vullnet, ka rrugëzgjidhje! Mirënjohje nga zemra aktorëve, regjisorëve, arkitektëve, inxhinierëve e sidomos sindikatave e protestuesve! Falë kontributit të secilit kemi një marrëveshje më të mirë dhe jemi sot gati të nisim negociatat për një Teater të ri Kombëtar! "

Ndërkohë pas këtij lajmi nga Veliaj, gjatë një prononcimi për News24, aktori Arben Derhemi ka thënë se artistët janë në negociata gjatë gjithë kohës për këtë çështje dhe ka ende disa pika që nuk janë dakord.

"Jemi në negociata gjatë gjithë kohës, pasi ka ende disa pika ku nuk jemi dakord. Ne kërkuam që të bëhet konkurs për godinën e re të teatrit. Territori i teatrit është një pikë që nuk negociohet"– tha Derhemi.