Katër instrumentistë italianë, që njihen si “Il Quartetto di Cremona” hapën mbrëmjen e kaluar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.

Cristiano Gualco, Paolo Andreoli, Simone Gramaglia dhe Giovanni Scaglione, të cilët konsiderohen nga kritikët ndërkombëtarë si “një nga kuartetet më emocionuese të gjeneratës së deritanishme” sollën për dëgjuesit e shumtë një program impenjativ me kuartete të shkruara në shek 18-19 nga W. A. Mozart, G. Verdi, Hugo Wolf dhe Ottorino Respighi.

Instrumentistë mjaft të talentuar, që dallohen edhe për teknikën e lartë e disiplinën artistike, interpretët  kanë nisur turneun e tyre në Amsterdam, për të vijuar pas Shqipërisë edhe në SHBA, Kinë, Danimarkë, Gjermani dhe Britani e Madhe.

Artistët nga Gjenova tashmë janë shpallur “qytetarë nderi” në Cremona, qyteti i mjeshtrit Antonio Stradivari, me instrumentet e të cilit ata interpretojnë.

“Kuarteti i Kremonës” erdhi mbrëmjen e kaluar në Durrës pas tre koncerteve në Tiranë, Shkodër dhe Korçë.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, që ka arritur në edicionin e 13-të, organizohet nga Nevila Kalaja kryesisht në qendrat arkeologjike dhe historike të Durrësit.

Edicioni i këtij viti përfshin shtatë koncerte me instrumentistë vendas dhe të huaj deri më 14 korrik.

Nga Gëzim Kabashi