Prej disa ditësh kemi hyrë në muajin prill dhe rritja e ndjeshme e temperaturave dhe moti i mirë sjell në kujtesën e të gjithëve stinën e verës dhe ditët pranë bregut të detit. Këtë, më shumë se kushdo, e përjetojnë më së miri durrsakët, pasi natyra i ka dhuruar qytetit një vijë bregdetare për t’u pasur zili.
Lokalet dhe restorantet buzë detit nisin të gjallërohen, pasi njerëzit, të lodhur nga kapriçot e motit, më në fund po shijojnë disa ditë me diell.
Në të njëjtën kohë, bizneset private pranë vijës bregdetare nisin dhe bëjnë rregullimet dhe riparimet e nevojshme, para mbërritjes së pushuesve të parë.
Po ndërsa plazhi është ende i boshatisur, ndryshimet që ndodhin përgjatë vijës bregdetare dhe brezit të rërës bien edhe më shumë në sy.
Ditët e fundit, pranë redaksisë së DurrësLajm, qytetarë të ndryshëm kanë denoncuar përmes fotove ndërhyrjet që kanë bërë biznese të ndryshme në brezin e rërës, në plazhin e Durrësit, duke përvetësuar hapësira publike që ndodhen para lokaleve, restoranteve apo hoteleve nga sektori Teuta e deri në Hekurudha.
Një qytetar denoncon shtrimin e një brezi betoni mes përmes rërës, tek njëra nga pistat e ngritura në bregdet.


Ndërsa në këtë foton tjetër, biznesi ka mbjellë pisha dhe po ngre një pistë dërrase në brezin e rërës.

I njëjti fenonen edhe në këto lokale në sektorin Hekurudha, të cilët kanë shtuar sipërfaqen e tyre duke e shtrirë vendosjen e tavolinave dhe karrikeve në brezin e rërës.

Një vit më parë, Inspektoriati i Mjedisit pezulloi punimet që po kryheshin nga disa subjekte private në sektorin “Apollonia”, të cilët hodhën në det për netë të tëra blloqe betoni, në tentativë për të frenuar fenomenin e ‘erozionit’.

(Situata një vit më parë, mars 2017)
Një vit më pas, kjo procedurë e cila në atë kohë u cilësua abuzive nga Inspektoriati i Mjedisit, pasi nuk ishte marrë leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit, Autoriteti Kombëtar i Bregdetit, Bashkia e Durrësit dhe Kapitaneria e portit, ka sjellë për këto hotele dhjetëra metra katrorë sipërfaqe rërë në dispozicion të tyre, në kurriz të detit.

Fotot që sjell një qytetar për DurrësLajm e dëshmojnë më së miri këtë gjë.

Bizneset private kanë mbjellë edhe palma dhe kanë vendosur shtyllat e ndriçimit dhe me afrimin e sezonit turistik do të vendosin aty shezlonet.

Nuk do të jetë e largët dita, që qytetarët e Durrësit dhe pushuesit nuk do të mund të lëvizin më në këtë hapësirë, pasi do të jetë e gjitha ekskluzivitet i privatit.
Sezoni turistik po afron dhe ndërsa pjesa më e madhe e vijës bregdetare është e pastër, në disa zona të veçanta grumbujt e lështerikëve, të sjellin ndërmend pamjet e viteve të dikurshme.


Për të pasur një sezon të suksesshëm turistik, vendet me përvojë në këtë drejtim i nisin përgatitjet dhe marrjen e masave shumë muaj më parë, madje vendosin prioritetet që në mbyllje të sezonit të kaluar, për të ofruar për pushuesit dhe turistët një ambient më të këndshëm dhe një shërbim shumë më cilësor se një vit më parë.
Në ditët në vijim, DurrësLajm do të zbardhë strategjinë e bashkisë Durrës për këtë sezon turistik që po troket në derë.





