Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në reagimin e tij publik pas protestës së dhunshme të së shtunës kundër tarifës në Rrugën e Kombit, foli për një skenar të rëndë kriminal që ishte përgatitur atje dhe shënjestroi politikanë të caktuar si nxitës të djegies dhe shkatërrimit të sporteleve në tunelin e Kalimashit.
Ministri tha se mes protestuesve të ndershëm kishte persona me të shkuar të rëndë kriminale të infiltruar qëllimisht për akte dhune.
“Manifestimi i presupozuar paqësor, u shndërrua menjëherë në një sulm barbar kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kundër pasurisë publike dhe asaj private. Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale, si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit”, tha ai.
Ministri Xhafaj tha se 12 punonjës policie janë plagosur gjatë protestës, duke theksuar se asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, sulmin kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës.
“Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital”, tha ministri i Brendshëm në një konferencë për shtyp pas përfundimit të protestës.
Xhafaj vlerësoi gjakftohtësinë dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit, duke dhënë publikisht gjithë mbështetjen Policisë së Shtetit për çfarë ajo bën për të mbrojtur jetën dhe pronën e kujtdo.
Në cilësinë e ministrit të Brendshëm, Xhafaj deklaroi se:
“Policia e Shtetit në zbatim të ligjit, do të ketë një përgjigje të ashpër për çdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe që kanë sjellë një dëm të madh ndaj pronës publike dhe private”.





