*Ngrihet populli: Jo taksave në Rrugën e Kombit!
Ndërsa populli i Kukësit i tregoi kryeministrit Edi Rama se nuk mund të bëjë dot në kokë të tij asgjë, sepse populli di të ngrihet e t’i thotë ‘JO’ vendimeve që bien ndesh me aspiratat e popullit, të gjithë grupet e interesit kanë reaguar ndaj taksave të vendosura për Rrugën e Kombit. Populli i Kukësit dhe i Kosovës i tregoi sot kryeministrit Edi Rama se populli është aty kur duhet të jetë zgjuar, për të thënë se nuk do të lejojë asnjë kryeministër a qeveritar të marrë përpra e të nëpërkëmbë të drejtat e popullit të drejtën për të lëvizur.
I gjithë populli i Kosovës i cili është edhe “turisti” më patriotik i Shqipërisë dhe bregdetit Adriatik, është mërzitur dhe frikësuar fort nga vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, njësoj si populli i Kukësit. Biznesi që operon mes dy vendeve bën me dije se vendosja e taksës ka rritur zemërimin në popullatë. Autobusët kanë mbërritur bosh gjatë ditëve të fundit që u vendos taksa, ndërsa agjencitë nuk i rritën çmimet e biletave.
Liljana Osmani, nga një agjenci udhëtimi me seli në Gjilan e degë në Durrës, thotë: “Me 19 veta nga 51 që duhet të vinin, kaq erdhën nga Gjilani këtë mëngjes. Populli është mërzitur sepse taksa është vënë vetëm për të bllokuar kosovarët dhe kuksianët të mos vijnë në Tiranë e në Durrës”.
“Qeveria shqiptare duhet të rishikojë taksën”, është apeli i çdo biznesi në plazh, duke nisur që nga hotelet e deri te subjektet e vogla sezonale. Vendosja e kësaj takse në këtë segment është shumë e shtrenjtë dhe frenon ardhjen e pushuesve. Nëse pushuesit nga Kosova nuk do të vijnë në plazh, subjektet e plazhit falimentojnë të gjithë.
“Kam një qebaptore, nëse nuk vijnë kosovarët ne të gjithë falimentojmë. I mbyllim dhe ikim të gjithë nga plazhi”, tha gruaja në plazhin e Durrësit.
K.H.





