Tajar Matraku, një ish-punonjës policie në Durrës, pas 14 vjetësh që ka emigruar në SHBA, është kthyer në Durrës.
Më 13 korrik të 2017-s, vëllai i tij 54-vjeçar Sami Matraku mbeti viktimë e një aksidenti rrugor te kryqëzimi i Shën Vlashit. Matraku thotë se familja e tij është dënuar dy herë. Herën e parë kur i vdiq vëllai në aksident, dhe të dytën kur prokuroria e gjykata e mbyllën çështjen, duke nxjerrë viktimën fajtor.
Ish-punonjësi i policisë në vendin e ngjarjes, tregon për “DurrësLajm” se nga ndërtimi i skemës së aksidentit, fajtori i vërtetë nuk është viktima por autori i cili mori pafajësinë nga ana e sistemit gjyqësor.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Klodian Merdini, shoferi i mjetit me targa Dr 8591 E, kthehej nga plazhi i fshat Rinisë dhe ka përplasur pranë kryqëzimit të Shën Vlashit në segmentin Sektori Rinia – tregu i makinave ciklomotorin që drejtohej nga Sami Matraku. Aksidenti është shënuar rreth orës 17:00 pasdite.
Policia arrestoi në flagrancë 25-vjeçarin që drejtonte mjetin tip “Opel” dhe gjykata caktoi masë sigurie “arrest me burg” me afat 10-ditor me akuzën shkeljes së qarkullimit rrugor.
Pas 10 ditësh, më 27 korrik 2017, gjykata e Durrësit vendosi “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”, ashtu siç kishte kërkuar prokuroria për 25-vjeçarin e përfshirë në aksident.
Nga ana e prokurorisë, është administruar akti i riekspertimit autoteknik i datës 14 korrik 2017, nga ku ka rezultuar se: “Shkak determinant për ardhjen e pasojës është shkelja e qarkullimit nga ana e drejtuesit të ciklomotorrit Sami Matraku”.
Katër ditë më pas, më 31 korrik prokuroria e përfaqësuar nga Drini Pali e pushoi çështjen. Por familja e viktimës nuk u pajtua me vendimin për pushimin e çështjes duke e apeluar vendimin e duke nisur kështu një betejë të vërtetë ligjore për të vënë drejtësinë në vend. Familja e apeloi vendimin, dhe gjykata e Apelit në Durrës me vendim të datës 10 tetor 2017, e ka dërguar sërish çështjen në prokurorinë e rrethit për hetim. Por prej muajit tetor të 2017-s, dosja nuk është dërguar më në gjykatë për shqyrtim, ndërsa djali i viktimës Erblin Matraku ka pajtuar avokatë për zbardhjen e së vërtetës.
Dy ekspertë që kanë bërë një akt riekspertimi kanë bërë fajtor viktimën, dhe kanë nxjerrë si fakt mungesën e sinjalistikës rrugore në këtë segment. Një tjetër akt ekspertimi që kanë bërë familjarët e viktimës nxjerr si shkak të aksidentit shoferin i cili është lënë i lirë.
Në vendin e ngjarjes një gjë është e sigurt: 100 metra para se të hysh në rrethrrotullim ka tabelë për kufizim shpejtësie në 30 km/orë, dhe tabelë rrethrrotullimi. Shoferi i aksidentit nuk ka hyrë në rrethrrotullim por i ka prerë për shkurt duke dalë në korsinë ku gjendej ciklomotorri dhe ku drejtuesi i tij mbeti viktimë.
K.H.





