Rusia ka shpallur ‘non grata’ dy diplomatë shqiptarë nga ambasada në Moskë.

Mësohet se dëbimi i diplomatëve shqiptarë në Moskë, ka ardhur si shenjë reciprociteti, pas përjashtimit të dy diplomatëve rus në Tiranë.

Ministri i Jashtëm rus, ka thirur në zyrë ambasadorin shqiptar në Moskë, ndërsa i ka komunikuar vendimin, shoqëruar edhe me notë proteste.

Katër ditë më parë në ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme hyri ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin.  Atij iu komunikua vendimi për largimin nga Tirana të atasheut ushtarak, Vladislav Filipov dhe sekretarit të parë të ambasadës, Alexey Nikolaevich Balashov.

Të enjten u mësua se qeveria ruse ka kërkuar largimin nga vendi i tyre të 150 diplomatëve nga të cilët 60 janë amerikanë.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar për këtë çështje, por një ditë më parë Lavrov tha se përgjigjja do të jetë reciproke për çdo vend.

Dëbimi i dy diplomatëve shqiptarë vjen si përgjigje që Rusia po u jep të gjithë vendeve të cilët mbështetën Britaninë e Madhe pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal.