Reshjet e shiut që kanë nisur që të hënën paradite pritet të pengojnë edhe sot përpunimin e disa anijeve, veçanërisht atyre që shkarkojnë çimento.
Moti i keq nuk e ka penguar mbërritjen në kohë të dy trageteve “AF Francesca” dhe “Bari”, ndërsa reshjet e shiut që parashikohet të nisin rreth orës 10.00 po vështirësojnë prej 3 ditësh përpunimin e anijeve tregtare.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet gjithashtu se anijet tregtare “Merry M” me 5005 tonë skrap dhe “Seaven Luck”, e cila u ngarkua me 7000 tonë çimento kanë përfunduar procesin në kalatat 10 dhe 11, dhe pritet të largohen nga baseni sot paradite. Ndërkaq në radën portuale presin radhën e përpunimit tre anije me një sasi të përgjithshme skrapi prej afro 10.500 tonë.
Qendra e Informacionit në APD, njofton se gjatë 24 orëve të ardhshme priten edhe katër anije të tjera në të cilat do të përpunohen mbi 10 mijë tonë llamarinë, 1348 tonë profile çeliku dhe 188 kontejnerë.
Sot reshjet e shiut pritet të vazhdojnë me ndërprerje në orë të ndryshme të ditës.