Bashkëpunimi institucional në Terminalin e trageteve gjatë periudhës së festave të fundvitit, si dhe krijimi i kushteve normale të kontrollit kufitar dhe doganor në shërbim të bizneseve që shfrytëzojnë tragetet, ishin temat kryesore të takimit konsultativ që u iniciua dy ditë më parë nga Drejtori Ekzekutiv i APD-së, Artjan Qirici.
Së bashku me Drejtoreshën e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Lindita Nushi, Drejtorin e Doganës Durrës, Agron Lamaj, si dhe përfaqësues të Terminaleve dhe Agjencive të interesuara, pjesmarrësit në takim e quajtën të domosdoshme ngritjen brenda marsit 2018 në Terminalin e Trageteve të një Tende për kontrollin fizik të kufirit dhe doganës. Në të njëjtën frymë bashkëpunimi për t’i shërbyer biznesit do të punohet për krijimin e një Zone Sterile në zonën e eksportit.
Përmirësimi i shpejtësisë së operimit gjatë kontrolleve, duke rritur sipërfaqen dhe korridorin e lëvizjes pranë skanerit; vendosja e afateve kohore limit lidhur me hyrjen e kamionëve në port; transferimi i makinave të bllokuara nga terminali i trageteve në një zonë më të përshtatshme; shfrytëzimi i territorit pranë hyrjes 4 nga Agjencitë Detare përbëjnë disa nga përfundimet e Takimit konsultativ me përfaqësuesit e institucioneve dhe agjencive që operojnë në hapësirën portuale.
Së shpejti, Drejtori Ekzekutiv do të mbledhë përfaqësuesit e Këshillit Konsultativ, për të diskutuar më gjerë mbi këto plane masash, dhe do të diskutohen gjithashtu Draft Plan-Biznesi dhe Tarifat e APD-së për vitin 2018.