Gjatë 11-mujorit të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar afro 3.4 milionë tonë mallra, ose 7 për qind më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2016.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se, rritje të volumit të mallrave të përpunuar në 11 muaj ka patur si në eksportet edhe në importet. Sipas të njëjtit burim, eksportet kanë shënuar një rritje prej 16 për qind, duke regjistruar një sasi prej 1.241.605 tonë mallra të përpunuar në 11 muaj. Ndërkaq, importet kanë arritur shifrën prej 2.157.409 tonë mallra, me një rritje prej 3 përqind, krahasuar me 11-mujorin e vitit 2016.
Gjatë periudhës janar-tetor 2017 në të tre Terminalet e mallrave janë përpunuar 518 anije tregtare, ndërsa në Terminalin e Trageteve janë përpunuar 922 tragete, të cilat përveç udhëtarëve transportojnë edhe mallra me kamionë dhe trajlerë.
Mësohet gjithashtu, se nga anijet janë përpunuar 2.647.650 tonë mallra për 11-mujorin, me një rritje prej 7 për qind, dhe e njëjta rritje prej 7 për qind vlen edhe për tragetet, që kanë transportuar nga/drejt Durrësit 751.364 tonë mallra me kamionë dhe trajlerë.