Të intriguar nga faqet simotra jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja, këta të rinj menduan të realizojnë një faqe “të freskët”, dedikuar në mënyrë të veçantë brezit të ri, i cili me gjallërinë dhe energjinë që e karakterizon priret gjithnjë të realizojë pasionet apo hobby-t e tyre

Në një kohë kur portalet dhe blogjet në internet shtohen me shpejtësi shumë të madhe dhe njeriu i ditëve tona priret të kalojë sa më shumë orë para ekranit të kompjuterit, administratorët e këtyre websiteve mundohen të gjejnë ide sa më origjinale për ta bërë faqen e tyre të vizitueshme. Dëshirës për të pasur një faqe të tyren, ku të mund të mbledhin shoqërinë, të krijojnë miqësi të reja dhe të pasqyrojnë aspekte të ndryshme të jetës urbane të Durrësit, nuk i kanë shpëtuar as disa të rinj studentë, të cilët vetëm disa ditë më parë inaguruan faqen e tyre Durrësi LifeStyle. Të intriguar nga faqet simotra jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja, këta të rinj menduan të realizojnë një faqe “të freskët”, dedikuar në mënyrë të veçantë brezit të ri, i cili me gjallërinë dhe energjinë që e karakterizon priret gjithnjë të realizojë pasionet apo hobby-t e tyre. Po çfarë të rejash do të sjellin në faqen e tyre….

Çfarë do të jetë DLS-ja?

Lifestyle është një fjalë që vjen nga anglishtja e që nënkupton mënyrë jetese. Pikërisht, pasqyrimi në aspekte nga më të ndryshmet i mënyrës së jetesës së banorëve të qytetit të Durrësit duket se do të jetë objektivi i djemve dhe vajzave të DLS-së (DurrësiLifeStyle). “DLS është një nismë e një grupi personash për të realizuar diçka sa më të këndshme dhe më të denjë për qytetin në të cilin banojmë. Qëllimi është që t’i përkushtojmë sa më tepër vëmendje qytetit tonë, Durrësit. Pyetja është si? Duke treguar mënyrën tonë të të veshurit, të të ushqyerit, stilin tonë të jetës, artin, kulturën, jetën e natës, VIP-at, dhe më së shumti këto informacione do të vijnë tek ju përmes seteve fotografike”,- është ajo çfarë këta të rinj kanë shkruar në faqen e tyre www.durresilifestyle.com.

Pra me sa kuptojmë ata i kanë idetë e qarta. Përmes fotove kërkojnë të dëshmojnë aspekte të ndryshme të jetës së qytetit bregdetar, të banorëve të tij. Pak “paparazzi” ndoshta, megjithëse shumë të ndryshëm nga ata, pasi nuk do të vihen në gjurmim të personazheve VIP, por të njerëzve të zakonshëm, të dukurive interesante që regjistrohen në Durrës, për t’i bërë pak a shumë të gjithë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve.

Kush janë DLS-të?

Ideuesi dhe krijuesi i kësaj faqeje është një djalë shumë i ri, student në fakultetin e Inxhinierisë Elektronike, i cili pasionin për teknologjinë kërkon ta ndajë me dashurinë për të pasqyruar jetën e qytetit të tij. Admir Bërbiu, kur e takon, me lirshmërinë dhe energjinë që transmeton, të jep përshtypjen e një të riu që i ka idetë e qarta. Ideja për të krijuar një faqe të tillë i ka shkuar në mendje disa muaj më parë duke marrë shkas nga moritë e faqeve të internetit, të hapura kryesisht nga të rinj, të dedikuara stilit të rrugës, Streetstyle. Por duke mos dashur të ndalej vetëm tek streetstyle, ai mendoi një emër më gjithëpërfshirës, Lifestyle. I vetëm nuk mund ta ndërmerrte një inisiativë të tillë e për këtë nisi ta diskutonte idenë e tij me një grup shokësh. E kështu duke biseduar, debatuar, hedhur propozime nga më të ndryshmet, në kokat e të rinjve nisi të konkretizohej ideja e faqes.

Admirit iu bashkuan, Kristina Koçi, Kiara Mansaku, Erti Bejdo etj. Ndërsa vajzat, studente në fakultetin e Inxhinierisë Fizike, i caktuan vetes si detyrë të merren me anën e marketingut, të sigurojnë sponsora apo reklama, djemtë do të jenë “paparazzi”. Me aparat në dorë ata do të fiksojnë në celuloid atë çfarë do t’u tërheqë vëmendjen në rrugët e Durrësit. Setet e para të fotografive u janë kushtuar mënyrës së të veshurit dhe jetës së natës. Të rinj e të reja durrsake, të veshur këndshëm, janë fotografuar në hapësira nga më të ndryshme. Spontaneiteti duket se do të jetë qëllimi kryesor i DurrësiLifestyle. Ata nuk pretendojnë të realizojnë foto të vërteta artistike, sepse nuk mund të bëhet fjalë për shërbime të mirëfillta në këtë fushë, por do të synojnë t’i paraqesin njerëzit apo objektet në vendin ku i takojnë, ku i vënë re. Përmbi të gjitha, personi që do të fotografohet nuk është i përgatitur për një gjë të tillë. Pra nuk është lajmëruar më parë për këtë gjë. Ai/ajo mund të shihen në rrugë nga fotografët dhe do t’i bëhet ftesë për t’u bërë pjesë e kësaj inisiative. Të rinjtë tregojnë se përherë kanë gjetur bashkëpunimin e personave të cilëve “ia kanë vënë syrin”.

Privatësia

Setet fotografik, të bëra në rrugët e Durrësit apo në lokale  të ndryshme janë publikuar në faqen e internetit të DLS dhe kanë marrë komente mjaft pozitive. Për të shmangur në të ardhmen abuzimin me fotot, jo të pakta janë rastet kur profile të ndryshme në internet hapen duke përdorur fotografi të personave që nuk janë aspak në dijeni për këtë gjë, Admiri ka menduar edhe për këtë. Fotove mund t’u bësh “like”, por nuk mund të download-en. Në këtë mënyrë edhe personat që shfaqen në këto foto nuk rrezikojnë që fotot e tyre të keqpërdoren. Ndonëse tani janë në sezon provimesh, pasi pjesa më e madhe e DLS-ve janë studentë kjo nuk i pengon ta pasurojnë faqen me sete të reja fotografish. Megjithëse e pranojnë se fillimi mund të jetë i vështirë ata janë të bindur se do të realizojnë diçka të bukur. Pasioni dhe vullneti nuk u mungojnë. Stina e verës sapo ka nisur, jeta e natës nis të gjallërohet kështu që djemtë janë përgatitur të realizojnë foto të bukura, dhe të dokumentojnë mënyrën tonë të të veshurit, të të prezantuarit, atë që gjithkush nga ne e sheh çdo ditë në rrugët e qytetit.