Krahas ideimit dhe krijimit të skulpturave të mirëfillta, shpesh Erisa Bekteshit i pëlqen që të luajë me funksionin e tyre. Kështu nuk duhet të habitemi kur shohim një vepër arti, por që shërben edhe si abazhur pak larg formës së zakonshme me të cilën jemi mësuar apo një tors femre që fare mirë mund të përdoret edhe si mbajtëse çadrash. Funksionaliteti i veprave artistike edhe në jetën e përditshme shihet si një opsion që afron të bukurën me të zakonshmen, duke krijuar një simbiozë që rezulton efikase
Skulptorja durrsake, Erisa Bekteshi, hapi në mesjavë në Tiranë ekspozitën e dytë personale dhe të parën në kryeqytet. Në ambientet e galerisë “Elyser” ishin ekspozuar rreth 30 punime të Bekteshit, të punuara në qeramikë, gur, dru, metal etj. Ajo që të bën përshtypje në pamje të parë në punimet e skulptores së re janë format abstrakte të objekteve dhe loja me ngjyrat, me detajet, me kompozimin në përgjithësi. Dy vjet pas ekspozitës së parë, të hapur në galerinë “Jozef”, në Durrës, Erisa vjen para artdashësve të kryeqytetit me punime, pjesa më e madhe e të cilave shfaqen për herë të parë para publikut. Për mëse dy vjet me rradhë, Bekteshi, ka punuar për realizimin e këtyre veprave të reja që të tërheqin me specifikën e veçantë që paraqet secila prej tyre. Krahas ideimit dhe krijimit të skulpturave të mirëfillta, shpesh Bekteshit i pëlqen që të luajë me funksionin e tyre. Kështu nuk duhet të habitemi kur shohim një vepër arti, por që shërben edhe si abazhur pak larg formës së zakonshme me të cilën jemi mësuar apo një tors femre që fare mirë mund të përdoret edhe si mbajtëse çadrash.
Në një kohë kur arti, ashtu si vetë shoqëria, është në krizë ekonomike funksionaliteti i veprave artistike edhe në jetën e përditshme mund të shihet fare mirë si një opsion që afron të bukurën me të zakonshmen, duke krijuar një simbiozë që rezulton efikase. Në larminë e tematikave, gjinive e teknikave që arti propozon secili artist tenton të gjejë elemente sa më të veçanta për të përcjellë vizionin e tij artistik. Skulptura ka qenë gjithnjë kryesisht një gjini ekskluzivitet i meshkujve, për vetë vështirësitë e punës që ajo mbart. Por duket se Erisën kjo gjë nuk e ka trembur aspak, madje e ka inkurajuar, dhe sot skulptorja durrsake e sheh veten të rreshtohet krahas artistëve të rinj të qytetit dhe të konkurojë denjësisht me kolegët e saj meshkuj. Një pjesë e madhe e punimeve të Bekteshit janë në gur lumi, një nga materialet më të preferuara në skulpturat e artistes së re. Duke qeshur Erisa thotë se,- “nëse të tjerët kur dalin për piknik apo për shëtitje mendohen më parë se ku do të shkojnë, unë e kam mjaft të qartë vendin ku do të nisem për të eksploruar”. Rrjedhat e lumenjve apo guroret janë vendi i saj i parapëlqyer pasi aty gjen materialin për të punuar.
Megjithëse punimi i gurit mbart në vetvete vështirësitë e tij Erisa e punon me dëshirë dhe mundohet gjithnjë të gjejë gurë me ngjyra të ndryshme, duke eleminuar kështu ndryshimin e ngjyrës origjinale të materialit. Në disa nga skulpturat e Bekteshit vihet re përdorimi i plurimaterialeve, të cilët, krahas lojës vizuale që krijojnë, bartin veçori që i japin punimit karakteristika më të veçanta dhe origjinalitet te spikatur. Punimi i shumë materialeve, shpeshherë mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri, por dhe kombinimi i herë pas hershëm i tyre i jep skulpturave të Erisës një origjinalitet dhe teknikë që vlen të përgëzohet. Pas studimeve në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, Erisa Bekteshi do të vazhdonte studimet e larta në Akademinë e Arteve, dega skulpturë. Ajo ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive në Durrës dhe qytete të tjera të vendit. Ekspozita më e fundit e Erisës në qytetin e saj është ajo e hapur në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” së bashku me kolegët e saj Elio Bajramaj, Franc Priska, Florian Bregu dhe Ivo Moja.
Ndonëse pranon se profesioni i artistit është një profesion i vështirë dhe hapja e një ekspozite është një kosto që përballohet nga vetë piktori apo skulptori ajo e sheh të ardhmen të projektuar në drejtim të artit. Ndërsa pranon se në kryeqytet hapësirat për të punuar në këtë fushë janë më të mëdha, ajo ndihet paksa e trishtuar që qyteti i saj është më i mbyllur në këtë drejtim. “Gjithsesi kur ekziston pasioni dhe dëshira, që të shtyjnë të ecësh përpara, vështirësitë sikur zvogëlohen dhe ti vazhdon në rrugën e artit duke këmbëngulur për t’u afirmuar, për të bërë emër në këtë fushë”,- thotë Erisa. Skulptorja durrsake nënvizon gjithashtu se krijimi i hapësirave më të mëdha dhe sidomos mbështetja janë obligime që strukturat përkatëse duhet t’i zbatojnë për artistët, pasi njerëzit e artit janë një pasuri për qytetin dhe vendin.