Ekzekutimi i shefit të policisë së Shijakut e çon në gjashtë numrin e oficerëve në karrierë të vrarë në Durrës. Nëntë vjet pas ekzekutimit të shefit të komisariatit të Krujës, komisar Gani Malushit dhe tre vjet pas vrasjes së katër punonjësve të Grupit Operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, një tjetër drejtues policie është ekzekutuar në një tjetër krim të tipit mafioz në territorin e rrethit tonë.

I dalluar për qetësinë dhe gjakftohtësinë, rrethi bregdetar mban edhe barrën e ngjarjeve më të rënda që kanë goditur Policinë e Shtetit gjatë dekadës së fundit në vend. Komisar Gani Malushi u ekzekutua nga Agim Pepa në qytetin e Durrësit më 6 gusht të vitit 2003, pak çaste pasi kishte dalë nga godina e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Bashkë me të u vra dhe shoferi i tij Gjovalin Ndreu.

Tre vjet më parë, në të njëjtin muaj, më 7 gusht 2009, mbetën të vrarë në ngjarjen më të rëndë që ka goditur policinë shqiptare përgjatë viteve 2000 Fatos Xhani 38 vjeç, Altin Dizdari 33 vjeç, Sajmir Duçkollari 32 dhe Kastriot Feska 40 vjeç. Ata u vranë në sektorin “Iliria” të plazhit të Durrësit, në pikun e sezonit turistik gjatë një operacioni për vëzhgimin dhe kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti, që ende i ulur në bankën e të akuzuarve në pritje të vendimit të drejtësisë shfaqet agresiv dhe kërcënues ndaj togave të zeza.

Të dyja këto ngjarje të rënda, pasohen nga ekzekutimi i kryekomisar Adem Tahiraj. Krimi i rradhës kundër policisë ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Katund Sukth të Durrësit, një zonë e nxehtë kjo ndër vite për policinë, për shkak të elementëve me precedentë penalë dhe veprimtarisë kriminale nga e cila është karakterizuar që në mesin e viteve ’90. Tahiraj regjistron kështu viktimën e gjashtë mes punonjësve në karrierë të policisë së shtetit. Autorët e dy krimeve të para janë kapur dhe vendosur në bankën e të akuzuarve, njëri vuan dënimin, ndërsa tjetri është në pritje të tij.

Ndërkohë përsa i përket vrasjes në fshatin Katund Sukth banorët shprehen të pasigurtë dhe nën zë thonë: “E kanë kapur dhe liruar disa herë. Kështu do të ndodhë sërish.”

 

Kush ishte Adem Tahiraj

Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 01.09.1963, titulluar punonjës policie në vitin 1986, në Komisariatin e Policisë Tropojë. Ishte i martuar dhe kishte 3 fëmijë.

Nga vitet 1986 deri në vitin 2008 ka shërbyer me detyra të ndryshme, si specialist i policisë në zonë dhe në detyrën e specialistit të policisë kriminale në Komisariatin e Policisë Tropojë dhe Kukës. Nga viti 2008 deri më 1 shtator 2011, ka ushtruar detyrën e shefit të njësisë operative në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nga 1 shtatori 2011, ushtronte detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Shijak. Në datën 13. 09. 2012, humbi jetën në krye të detyrës.

Skema e vrasjes

 

Ekspertë të policisë të cilët kanë rindërtuar skemën e ngjarjes, thanë se rreth orës 17 e 50 minuta të ditës së enjte, kryekomisar Adem Tahiraj ndodhej në makinën e shërbimit së bashku me shoferin dhe një punonjës policie në zonën e Katundit të Ri. Qëllimi i komisarit të Shijakut ka qenë kontrolli i automjeteve me mangësi në dokumentacion dhe shoqërimi i personave për armëmbajtje pa leje. Kryepolici dhe dy vartësit e tij kanë ndaluar një automjet tip “Opel” me xhama të zinj, në të cilin po udhëtonte 17-vjeçari Ledjan Krasnaj (Krasniqi).

Automjeti ka rezultuar me probleme në dokumentacion. Në këto kushte, komisari vendos të bëjë shoqërimin e mjetit në mjediset e policisë. Ai urdhëroi shoferin e tij që të hipte në makinën e të riut, me destinacion Shijakun. Por 17-vjeçari ka njoftuar Ilir Xhakjan për shoqërimin e tij. Brenda një kohe fare të shkurtër Xhakja, me një makinë “Benz” me targa BG 145 HB është ndodhur në vendngjarje. Fillimisht Xhakja i është drejtuar shoferit të komisarit, të cilin, duke e ofenduar ka nisur ta qëllojë me grushta.

Duke parë se si po dhunohej shoferi, komisari ka nxjerrë pistoletën e tij dhe i ka bërë thirrje Xhakjas që të hiqte dorë nga akti i tij. Në këto momente Ilir Xhakja i është afruar kryekomisarit, e ka kapur nga qafa me dorën e majtë, ndërsa me dorën e djathtë ka nxjerrë pistoletën, duke e vendosur tytën e saj në brinjën e uniformës blu, duke e shkrehur 5 herë me radhë. Plumbat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme Tahirajt. Xhakja dhe Krasnaj janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ilir Xhakja u arrestua disa orë më vonë, në fshatin Shënavlash në Durrës, ndërsa nipi i tij ndodhet në kërkim. 

i