Baritoni i njohur durrsak Gëzim Myshketa do të jetë i pranishëm këtë fundjavë në qytetin e Gjirokastrës për të dhënë një koncert në Hadrianopolis. Prezenca e këngëtarit lirik që po korr sukses në shumë skena europiane do të mundësohet nga bashkëpunimi mes Institutit italian të Kulturës dhe Ministrisë sonë të Kulturës.

Koncerti në fjalë do të mbahet në datë 15 shtator, ora 17.00, në Hadrianopolis, një sit i ri dhe i rëndësishëm arkeologjik i zbuluar kohët e fundit. Koncerti do të zhvillohet në amfiteatrin e qytetit antik dhe pritet të jetë një event mjaft interesant dhe me nivel të lartë artistik. Arena e lashtë ku kanë interpretuar shumë artistë antikë do të shohë për herë të parë të ngjitet në skenë me zërin e tij brilant një këngëtar durrsak.

Instituti Italian i kulturës ka ideuar spektaklin "Sul Sentiero di Adriano 2012", i cili do të vijë si një ndërthurje mes leximeve nga shkrimtari Ismail Kadare dhe arieve operistike. Spektakli është organizuar nga shoqata Arena Sferisterio e Maceratës. Krahas të mirënjohurit Gëzim Myshketa, në skenë do të performojë edhe sopranoja e re italiane Aurora Tirotta.

Spektakli mendohet të jetë një shfaqje impresionuese, pasi këngëtarët do të shoqërohen nga kuarteti i harqeve i RTSH-së. Skena e këtij amfiteatri të lashtë pritet të rizgjohet edhe një herë pas shekujsh e shekujsh në qetësi. Koncertin do ta ndjekin nga afër ambasadori italian Massimo Gaiani, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi si dhe figura te tjera të rëndësishme nga Italia dhe vendi ynë.