Zbulohet pllaka me emrin e piktorit të mirënjohur durrsak, emrin e të cilit mban galeria e artit pamor të qytetit. Në këtë ekspozitë homazh, e konceptuar në formën e një ekspozite personale të bashkëshortes së tij Shpresa Beqiri, dominonin nudot femërore. Piktori Vasia, i ndarë nga jeta rreth një vit më parë do të kujtohet ndër të tjera në Durrës për morinë e madhe të veprave të tij në të gjitha gjinitë e artit, por mbi të gjitha për simbolet e qytetit, emblemën dhe flamurin e tij
Një ekspozitë homazh për Nikolet Vasinë. Një ekspozitë për të kujtuar piktorin e talentuar durrsak që në korrik të vitit të kaluar u nda nga jeta. Bashkëshortja e tij, Shpresa Beqiri, edhe kjo një piktore mjaft e njohur në rrethet artistike të qytetit e më gjerë, kishte menduar, që në nderim të shokut dhe bashkëshoqëruesit të saj të pandarë në jetë dhe në art, të ekspozonte shumë nga tablotë e saj, pjesa më e madhe e të cilave ekspozoheshin për herë të parë për artdashësit. Me rastin e kësaj ekspozite homazh u zbulua edhe pllaka me emrin e Nikolet Vasisë, me të cilin është pagëzuar galeria e artit pamor të Durrësit. Ky ishte një nderim që i bëhet artistit Vasia, që me artin e tij konsolidoi një vend nderi në listën e gjatë me figura të shquara që ka nxjerrë qyteti ynë.
Megjithëse ishte mes miqsh, kolegësh, të afërmish, nxënësish dhe dashamirësish sytë e Shpresa Beqirit përloteshin jo rrallëherë, pasi, pavarësisht faktit se po nderohej burri i saj, kujtimi i Nikoletit mbetet ende i paharruar tek ajo, mbetet i gjallë tek gjithë krijimtaria artistike që ata ndërtuan së bashku si dy artistë të mirëfilltë që japin e marrin, komunikojnë e ndërveprojnë ….. “Nikolet Vasia ia dedikoi pjesën më të madhe të jetës së tij zbukurimit të botës shpirtërore të të gjithë durrsakëve, artistëve të rinj, kolegëve dhe miqve të tij duke qenë një frymëzim i pashtershëm për studentët dhe artdashësit durrsakë. Bisedat me Nikoletin ishin si poezi. Bota artistike e Nikoletit të shkëpuste nga koha ku jetoje e të bënte të fluturoje dhe udhëtoje lehtësisht në botën krijuese. Pasioni i tij për të bukurën sillte ngjyrë dhe muzikalitet në jetën tonë. A nuk është ky impakti në jetën e qindra njerëzve që e bëjnë një njeri të quhet i madh?”,- u shpreh gjatë fjalës së saj Beqiri. Gjatë ceremonisë u lexuan shumë vlerësime që personalitete të artit shqiptar e jo vetëm kanë dhënë ndër vite për krijimtarinë e të madhit Nikolet Vasia.
Ekspozita e Shpresa Beqirit
Në morinë e 68 tablove që Beqiri kishte përzgjedhur të ekspozonte, dominonin nudot femërore. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, drejtori i kulturës në bashkinë e Durrësit, Adrian Gurra, duke iu referuar këtyre tablove u shpreh se këtë herë shpresonte që arti të mirëkuptohej nga të gjithë dhe të mos përsëritej historia e verës së kaluar, kur piktori Mustafa Biduli u detyrua të hiqte nga ekspozita personale tetë punime nudo pas reagimit të ashpër të drejtuesve të komunitetit musliman. Në tablotë e Beqirit dominojnë ngjyrat e forta, por ajo që të bën më tepër përshtypje është fakti se nudot femërore të piktores durrsake paraqiten në skena të jetës së përditshme. Nudot e Beqirit nuk paraqesin femra në poza statike para telajos së piktorit, por në ambiente të ndryshme të jetës familjare apo në natyrë, ku ato punojnë, argëtohen, kërcejnë apo dashurohen. Në shumë tablo të saj, piktorja Beqiri ka luajtur me një kontrast të fuqishëm në kompozimin e pikturave në vaj. Shpesh pranë nudove femërore shfaqet portreti i një malësori, një bashkekzistencë kjo sa e çuditshme aq dhe domethënëse. Ndërsa banorët e zonave malore në vendin tonë janë dalluar gjithmonë për respektimin e kodeve morale, në pikturat e Beqirit ky malësor nuk habitet aspak me femrën nudo që ka pranë, por në mjaft raste shfaqet i dashuruar me të.
Punimet e saj tregojnë se ajo e njeh mirë botën femërore dhe rëndësinë e forcës së efekteve vizuale në art. Ajo e përdor penelin e saj si një çelës për të hyrë në botën e femrës, për ta idealizuar sadopak atë dhe për të luajtur disi me gjendjen psikologjike të meshkujve, që në kontaktin e parë që ata kanë me femrat përpiqen t’i zhveshin duke përfytyruar format e tyre trupore. Ndërsa vëzhgon pikturat e saj, nuk ka sesi të mos të të vijë në mendje përshtypja që i krijuan Michel Hugo-s, një nga ish-drejtorët më të shquar të fotografisë në Hollywood, i cili ndërsa vizitonte ekspozitën e Vasisë dhe Beqirit në Las Vegas do të shprehej se,- “pikturat e Shpresa Beqirit, kanë një naivitet të këndshëm. Kam ndjerë një influencë të fortë nga Modigliani të bashkuar me skenat e lezetshme të folklorit të vendit nga ajo vjen. Stili i saj evoluon ngadalë drejt përdorimit të ngjyrave të ndezura dhe të lirshmërisë së perspektivës”. Me rastin e ditëlindjes së Nikoletit, në datë 5 gusht, Shpresa premton se do të hapë një ekspozitë me pikturat e Vasisë, për t’i bërë një homazh të dytë veprës dhe krijimtarisë së tij. Ajo që bëri përshtypje në këtë aktivitet kulturor ishte prezenca e plotë e drejtuesve të bashkisë, të cilët rrallëherë në ngjarje të tilla i sheh të gjithë bashkë.
Një tablo homazh për Nikoletin e saj
Në këtë ekspozitë homazh nuk mund të mungonin qirinjtë, që me dritën që lëshonin në kënde të veçanta të sallës i kujtonin të gjithë pjesëmarrësve se përse ishin mbledhur aty, I sillnin në mendje atë njeri që shumë kush në atë sallë e kishte njohur, respektuar dhe nderuar nga afër. Në këtë ekspozitë, Nikoletit nuk do t’i mungonte një tablo nga Shpresa e tij. Një vazo me luledele dhe një qiri i ndezur, si për të treguar thjeshtësinë që e karakterizoi gjatë të gjithë jetës piktorin e njohur e në të njëjtën kohë vazhdimësinë e veprës së tij, që si ai qiri vazhdon të transmetojë dritë dhe frymëzim për artistët durrsakë. Një tablo sa e thjeshtë në pamje, por sa domethënëse në atë që ajo transmeton. Duket se Shpresa e ka punuar me mjaft dashuri duke dashur të përcjellë në telajo gjithçka ajo ndjente për bashkëshortin, mikun e kolegun e saj Nikolet Vasia.