Do të jenë shumë artistë të nderuar që do të vlerësohen me çmimin e karrierës për kontributin e tyre në art, si dhe do të përjetësohen emrat e tyre në Sheshin e Artistëve. Në platformën programore të festivalit po punohet për të hartuar njëProgram Special-Gala për këtë përvjetor të teatrit të Durrësit
Me rastin e 60-vjetorit të teatrit “Aleksandër Moisiu”, gjatë edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës do të nderohen disa nga emrat më të njohur të skenës së qytetit tonë, që kanë kontribuuar për të mbajtur gjallë jetën artistike ndër vite. Këtë e premton drejtoresha e këtij festivali, Anila Varfi, e cila zbardh për gazetën “Dyrrah” disa nga surprizat që do të rezervohen me këtë rast. Në të njëjtën kohë zonja Varfi ndalet edhe në nismën “Rruga e artistëve”, të cilën ajo preferon ta quajë një formë të shprehjes së memories artistike të qytetit antik. Ndërsa koha për zhvillimin e edicionit të rradhës së festivalit të filmit po afron, Varfi bën apel për bashkëpunim mes të gjitha palëve, për ta realizuar këtë eveniment në parametra europianë, ashtu siç i ka hije qytetit të Durrësit.
Zonja Varfi, të dielën startoi një inisiativë që mban emrin “Rruga e Artistëve”, e cila konsiston në vendosjen e pllakave me emrat apo mbishkrimet e personaliteteve shqiptare e ndërkombëtare që janë nderuar me çmime në festivalin ndërkombëtar të filmit në 35 mm, në Durrës. Cili është qëllimi i kësaj nisme?
Në fakt ne nuk do ta emërtonim si një nismë, por si formë e të shprehurit të memories artistike të këtij qyteti. Kontributi dhe prezenca e një artisti, kineasti, aktori, producenti …. etj, të cilët janë bërë pjesë e strukturës programore të festivalit të Durrësit, të cilët janë nderuar me çmime karriere (siç ishte në edicionin e shkuar rasti i regjizorit legjendë F.F.Coppola, një kineast që ndodhet në majën e majave të kinemasë Hollivudiane), gjejnë shprehje në këtë nismë. Këta artistë të një kalibri të tillë kanë lënë si suvenir firmën e tyre, e cila do të bashkëjetojë me gurët dhe ambientin e këtij qyteti të lashtë. Do të dëshiroja të ndaja me ju informacionin, se një iniciativë e tillë ka lindur shumë më herët, pikërisht në qytetin bregdetar të Cannes, qytet me famë ndërkombëtare, e gjithë kjo, në meritë të festivalit që organizohet aty prej 65 vitesh. Çdo artist është aty, dikush lë një gjurmë gishti, një hap, një firmë, një zemër…. ashtu si ai/ajo e ndjen ta shprehë dashurinë për këtë qytet të mrekullueshëm që kemi. Një kalimtari të zakonshëm, kur i bie udha pranë pallatit të kulturës, sado nxitimthi, do t`i duhet tanimë, që të mbajë pak hapin e t’i hedhë një sy shenjave të lëna nga personalitete, si shenjë dashurie, por edhe homazhi për ata që nuk janë më në mesin tonë. Shenjat në pllaka, si dikur hieroglifet, janë si një formë modeste, si një indikacion që tenton të rrëmbejë plot përunjësi vëmendjen e publikut në çdo kohë.
Kështu që, një vit më parë, për t’i pasur në kujtesën e këtij qyteti, si një pjesë të tij firmosën: Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale Fanny Ardant, Jiri Menzel, Dhimiter Anagnosti, Tinka Kurti…etj, por krahas tyre janë vendosur edhe pllakat me emrat e artistëve shqiptarë të ndarë nga jeta, në respekt dhe homazh të veprës së tyre si: Agim Qirjaqi, Bekim Femiu…,Vangjush Furxhi, i cili një vit më parë, në kohën kur po mbahej festivali u risoll përmes një programi të hartuar si “Retrospektivë Homazh” në 10 vjetorin e vdekjes.
Po në të ardhmen a do të vazhdojë një traditë e tillë?
Sigurisht që po. Kjo iniciativë, ky festival, i takon qytetit. Të gjithe le të përpiqemi që DURRËSIN ta kthejmë në Qytet të Artit. Kjo traditë duhet të vazhdojë. Do të nënvizoja faktin se ky festival si dhe festivalet e tjerë si ai i Dancit Modern, i Muzikës, aktivitetet e shumta artistike, premierat teatrore, aktivitetet e bibliotekës së qytetit, e mërkura e Kinemasë Italiane, si dhe shumë veprimtari të tjera që kalendari vjetor kulturor i kësaj Bashkie planifikon janë pasqyrë e vizionit për kulturën që bashkia e Durrësit ka. Prezantimi i Durrësit, përmes këtyre aktiviteteve artistike është absolutisht një promocion cilësisht i mirë i qytetit, si një qytet Arti.
Bordi drejtues i festivalit të filmit, ka një platformë të cilës i përmbahet dhe që i paraprin zhvillimit të edicioneve, duke hartuar politika artistike të përvitshme, për ta rritur cilësisht, me objektivin e qartë, që Festivali i Durrësit të kthehet në një pikë të rëndësishme për hartën artistike të rajonit. Kjo vjen gjithashtu edhe në kuadër të proçesit të integrimit në Europë, ku Shqipëria tenton të aderojë. Pra theksoj, se këtë urë të komunikimit artistik që Durrësi ka ngritur me këtë festival, do të tentojmë edhe pse me modesti dhe plot sakrifica, që ta shtrijmë edhe përtej oqeanit.
Duke u ndalur dhe njëherë tek “Sheshi i Artistëve” do të desha të sqaroj se ajo nuk është një rrugë, por një shesh (ndër vite ndoshta do të bëhet e tillë me emrat e shumtë që do të jenë në të).
Pranë teatrit që mban emrin e aktorit me famë ndërkombëtare Aleksandër Moisiu mendoj se gjurmët e memories për figura të artit që i takojnë të djeshmes, të sotmes dhe sigurisht të ardhmes së këtij qyteti, janë pjesë e krenarisë dhe nderimit që festivali do të ketë në vëmendje, sigurisht, duke formuluar qartë dhe suazën e këtij nderimi dhe homazhi. Por, ne lutemi për bashkëpunim edhe të të gjithë faktorëve të tjerë të këtij qyteti, sepse pa bashkëpunimin e të gjitha palëve nuk do të mund ta realizojmë në parametra europianë, këtë festival, i cili është pronësi, aset, i këtij qyteti, e i të gjithëve Ne.
Më lejoni të jap një shembull për këtë. Nëse Sarajeva ka arritur që festivalin e filmit ta kthejë në krenari kombëtare, gjithkush e di se është në sajë të suportit dhe vëmendjes që shteti i ka dhënë me një buxhet fantastik, që akordohet vit pas viti për këtë eveniment të rëndësishëm ndërkombëtar. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës lindi nga idea e së djeshmes së lashtë të këtij qyteti, (Dyrrahu), të cilin Ciceroni e quajti qytet të “Mahnitshëm” ndërsa poeti Catullus “Tavernë e Adriatikut”. Ishte ky qëllimi i lindjes së këtij festivali. Me këtë vizion dhe objektiv ne punojmë për t’i kthyer sadopak këtij nga identiteti dhe lavdia e tij e lashtë.
Ju e përmendët pak më parë se në platformën tuaj programore të festivalit, në fokusin e saj do të jenë edhe emra të artistëve durrsakë, qoftë të skenës apo të ekranit, që kanë kontribuar në vite për zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Mund të na jepni më shumë detaje për këtë?
Sigurisht që do të kihen parasysh, sepse nuk ka krenari kombëtare pa krenari lokale. Dua të përmend këtu slloganin e këtij festivali që në edicionin e parë të tij:“Arti, mbiemri i qytetit tim”. Nëse flasim për Durrësin, sigurisht që artistët janë të shumtë. Duke u ndalur tek edicioni i pestë i këtij festivali do të të doja të zbuloja disa të fshehta të përgatitjeve të stafit.
Ne e kemi parasysh faktin se Teatri i Durrësit do të festojë 60-vjetorin, kështu që në platformën programore të tij po punohet për të hartuar njëProgram Special-Gala. Çfarë do të përmbajë?! Kaq mund të zbulojmë tani për tani. Do të jenë shumë artistë të nderuar që do të vlerësohen me çmimin e karrierës për kontributin e tyre në art, si dhe do të përjetësohen emrat e tyre në Sheshin e Artistëve. Për të qenë sa më korrektë, në përzgjedhjen e artistëve të qytetit që do të nderohen këtë vit, pasi do të ketë çdo herë të nderuar, sigurisht që ne do të konsultohemi me Komitetin e Artit të këtij qyteti, komitet që festivali e ka thirrur dhe e ka organizuar që në edicionin e dytë të tij. Ne do të nderojmë disa figura të qytetit të Durrësit me çmim karriere në këtë edicion, e për këtë do të na duhet të hartojmë një program special, pasi për çdo figurë që nderohet hartohet një program i tillë.
Më lejoni të theksoj se ato pllaka nuk janë as obelisk, as panteon, janë thjeshtësisht, vazhdimësi e prezencës së personaliteteve artistike në Durrës përmes shenjës, sikur të donin të përshëndeteshin çdo herë me qytetin dhe me Ne teksa kalojmë aty. Një vit më parë arritëm të sillnim në qytetin tonë gjigandë të kinematografisë si Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, në jo pak por në shtatë artikuj të shtypit të shkruar dhe elektronik, duke realizuar kështu më së miri qëllimin, si një aktivitet kulturor dhe turistik.
Zonja Varfi duke u ndalur tek vendi që është përzgjedhur për vendosjen e këtyre pllakave. Po t’i referohemi planit të ri rregullues ai vend do të prishet. Pse u zgjodh ky vend që s’do ta ketë jetën e gjatë?
Siç e theksova dhe më lart, qytetarët dhe qyteti këtë hapësirë e perceptojnë si një hapësirë që i takon artit dhe artistëve që e bëjnë atë. Mendoj se një perceptim i tillë është pohimi më i argumentuar se pse duhet që ajo hapësirë të flasë me çdo objekt që e kufizon me shenjat e artit dhe për Artin.
Jemi në muajin maj, festivali po afron, por kam parasysh këtu faktin se nuk është miratuar ende buxheti i këtij viti dhe nuk është konstituuar Këshilli Kulturor. A ju krijojnë vështirësi këto dy fakte?
Unë kam shumë dëshirë të shpreh edhe njëherë atë që nënvizova më parë. Pa koordinimin e pa bashkëpunimin e të gjitha krahëve, nuk mundemi që të kemi një festë filmi në parametra europianë. Pengesat financiare janë kushti kryesor, që bëjnë që çdo aktivitet kulturor të humbasë nga cilësia, nëse nuk e gjen këtë mbështetje. Trupi diplomatik, i akredituar në Shqipëri, ka qenë mjaft i ndjeshëm ndaj këtij aktiviteti duke nisur nga ambasada amerikane, franceze, austriake, turke, italiane, gjermane, çeke etj, të cilat kanë qenë suport për pjesën e artistëve të tyre, e kjo ka qenë një mbështetje e madhe për ne, përballë dilemave që shtrohen përballë vëmendjes institucionale ndaj kulturës, thënë kjo për peisazhin kulturor në vend. Natyrisht që ky aktivitet si të gjitha aktivitetet kërkon suport, madje, nëse po rendim drejt Europës do të na duhet të ndërtojmë marrëdhënie dhe objektiva afatgjata mes partnerëve. Thënë shkurt, për të realizuar një eveniment mbresëlënës duhet që fryma e qasjes të jetë pozitiviste, pasi, të gjithë Ne, do mundim të bëjmë më të mirën nëse do të dimë ta shohim mirë dhe drejt njëri-tjetrin.