Burrneshat janë një fenomen shqiptar që gjithnjë kanë ngjallur mjaft interes tek të huajt, të cilët habiten me këtë zakon të maleve tona, ku një femër pranon “të shndërrohet” në burrë kur familja e saj nuk ka trashëgimtarë meshkuj. Pikërisht për këto femra shqiptare që kanë zgjedhur të qëndrojnë përherë të virgjëra dhe jetojnë dhe sillen si burrat regjizorja italiane Laura Bispuri do të realizojë një film me metrazh të gjatë.

E ndodhur këto ditë në Durrës si anëtare e jurisë së festivalit ndërkombëtar të filmit, Laura ka zbardhur projektin e saj më të fundit që do ta shohë të angazhuar në Shqipëri. Kontakti i parë me burrneshat për Laurën ka qenë libri i shkrimtares shqiptare Elvira Dones “Sëorn virgins” (Virgjëreshat e betuara), i cili i zgjoi kureshtjen për t’u njohur më nga afër me këtë fenomen shqiptar.

Siç thekson vetë Laura të huajt shfaqin mjaft interes, ndoshta shumë më tepër se vetë shqiptarët për t’u njohur nga afër me këto femra që kanë hequr dorë në mënyrë vullnetare nga seksualiteti dhe sensualiteti femëror për t’u shndërruar në meshkuj.

“Ishte kjo nxitja e parë që më dha ky fenomen tipik shqiptar e që më shtyu të realizoj një projekt të ri kinematografik. Kam biseduar me shkrimtaren Elvira Dones për të përshtatur librin e saj në një skenar për filmin dhe tashmë jemi në fazën përfundimtare të punës paraprake”,- thotë Laura.

Gjithashtu regjizorja italiane rrëfen se xhirimet do të realizohen në Shqipëri dhe Itali. Në fund të këtij viti mendohet të nisin xhirimet që do të pozicionohen në bjeshkët e Valbonës, vendi ku ka lindur dhe është rritur virgjëresha e Dones dhe në Milano, Itali. Në pamundësi për të xhiruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shkon personazhi i Hana Dodës (apo Markut siç njihet pas betimit), regjizorja dhe autorja Elvira Dones kanë rënë dakort që shumë nga skenat të xhirohen në vendin fqinjë.

Vështirësitë financiare mbeten problem kryesor për financimin e filmave dhe për këtë shkak rrëfen regjizorja Bispuri po shihet mundësi për të realizuar një bashkëpunim midis disa vendeve për të realizuar një prodhim kinematografik sa më cilësor.

Ndërkohë përsa i përket kastit të aktorëve Bispuri bëri të ditur se është në tratativa me një aktore mjaft të njohur italiane (të cilës preferoi të mos i zbardhte emrin), që pritet të interpretojë personazhin kryesor. Pjesë e trupës do të jenë edhe aktorë shqiptarë dhe kosovarë.