Megjithëse mbiemrin e kanë të përbashkët këtë herë nuk bëhet fjalë për një libër të ri me poezi të të mirënjohurit Dritëro Agolli, por të drejtorit të rrjetit muzeal të Durrësit, Edmond Agolli. Veç mbiemrit, të përbashkët kanë edhe origjinën sepse vijnë nga e njëjta trevë, ajo e Devollit, ose më saktësisht siç do ta specifikojë Edmond Agolli, nga Progri.

Pas shkrimit të disa pjesëve teatrale që janë vënë me sukses në skenë, drejtori Agolli këtë herë vjen me një sprovë të re, atë të dy librave me poezi. Librave u është dhënë dora e fundit dhe janë gati për botim. Njëri prej librave do të titullohet “Psherëtima e një fije bari”, ndërsa tjetri “Hojza”. Kur e pyes se pse nuk i ka përfshirë të gjitha poezitë në një libër të vetëm Agolli thotë se libri “Hojza” do të ketë një specifikë të veçantë, do të përbëhet nga poezi vetëm njëstrofëshe.

Përveç kësaj specifike, ato do të përcjellin për lexuesin një sentencë filozofike, që Agolli e ka nxjerrë pas vëzhgimit të vëmendshëm të dukurive e fenomeneve të ndryshme të jetës së përditshme apo asaj shoqërore. Ndërkohë tek libri tjetër, ku do të përfshihen 100 poezi, tematikat janë nga më të ndryshmet duke filluar nga ato që i kushtohen natyrës, vendlindjes, dashurisë familjare, por dhe asaj të humbur që nxjerr krye e rikthehet nga vitet e rinisë. Nuk mungon edhe një poezi kushtuar patriotit të vet, Dritëro Agollit, të cilin Edmondi e rendit tek poetët më të preferuar.

Poezitë i ka kaluar nëpër duar për mëse një vit e gjysmë dhe tani pret që ato të shohin dritën e botimit. Megjithëse për shumë vite i është kushtuar dramaturgjisë si autor, regjisor dhe aktor duket se diçka i kishte mbetur ende pa thënë. Agolli thotë se poezitë i kanë ardhur si një shpërthim i brendshëm dhe si papritur ai e pa veten duke shkruar sërish. Ato që po botojmë këtu janë vetëm pak nga poezitë që do të përfshihen në të dy librat që brenda këtij viti do të jenë në duart e lexuesit.

AUTORI

Krijimtaria artistike e Edmond Agollit

Edmond Agolli ka mbaruar Institutin e lartë të Arteve dhe është diplomuar aktor. Për rreth 3 vite ka punuar si regjisor i Pallatit të Kulturës në Skrapar, ndërsa më pas ka ndjekur një kurs pasuniversitar për regjisor. Për mëse 20 vite, nga 1978-1998, ka punuar pranë Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, Durrës si regjisor, aktor dhe dramaturg. Veprën e parë teatrale e shkroi në Skrapar, në vitin 1975. Drama “Pas hekurave” është nderuar me çmim të parë në një konkurs teatror të zhvilluar në Përmet. Ndërkohë gjatë kohës që punonte në Durrës, në vitin 1983, ka vënë me sukses në skenë komedinë “Në prag të fejesës”, regjinë e së cilës ia besoi të mirënjohurit Vangjel Heba. Në ’85 vuri në skenë komedinë satirike “Po pse more bir”, që është shfaqur 87 herë në qytetin bregdetar. Ndërkohë ka shkruar dhe dy komedi të tjera “Dashuri, seks apo para” (në 1993) dhe “Kandidati” (në 2010). Komedisë së fundit Agolli rrëfen se i është rikthyer për t’i bërë një rishikim, pasi ajo sillte në skenë rreth 40 personazhe, një sipërmarrje gati-gati e pamundur për trupën teatrore të Durrësit, që përbëhet nga vetëm 12 aktorë.