Ndërsa qyteti vuan mungesën e një kinemaje, mungon edhe dëshira për të reklamuar aktivitetet që tentojnë të plotësojnë këtë vakuum artistik. Asnjë poster apo njoftim i thjeshtë nuk i njoftonte qytetarët e Durrësit se në sallën e Pallatit të Kulturës nisi projeksioni i prodhimeve kinematografike bashkëkohore italiane.
Nis shfaqja e filmave italianë në Durrës. Në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” është improvizuar ekrani i madh nga ku ka startuar këtë të mërkurë shfaqja e filmave të kinemasë bashkëkohore italiane. Iniciativa e ndërmarrë nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me pushtetin lokal në Durrës dhe Pallatin e Kulturës do të sjellë për çdo ditë të mërkurë një nga realizimet kinematografike të viteve të fundit, të fqinjit tonë të përtej detit.
Në mungesë të një salle të vërtetë kinemaje, ky aktivitet do të përpiqet të zbusë disi vakuumin e krijuar prej vitesh në Durrës në këtë drejtim. Por nëse iniciativa shihet si mjaft pozitive, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për organizimin. Qytetarët e thjeshtë durrsakë e kanë pasur të pamundur të informohen se shfaqja e filmave nisi këtë të mërkurë që lamë pas, pasi asnjë poster nuk ishte vendosur për të lajmëruar nisjen e kësaj iniciative. Këtë e tregoi më së miri edhe salla shumë pak e mbushur.
Nga ana tjetër, asgjë prezantim paraprak apo një konferencë shtypi nuk ishte menduar për këtë aktivitet. Megjithëse është premtuar se gjatë ditëve të shfaqjes së filmave mund të vijnë edhe personalitete të kinemasë italiane, mungesa e organizimit që u vu re në startim të kësaj nisme mund të reflektohet edhe në javët e ardhshme. Gjithsesi urojmë të mos ndodhë kështu.
Instituti Italian i Kulturës ka përcaktuar disa qytete shqiptare, mes të cilëve dhe Durrësi, për të promovuar produksionet më të fundit kinematografike bashkëkohore. Filmi që hapi siparin e kësaj iniciative ishte prodhimi i vitit 2005, “La febbre”, i regjisorit Alessandro D’Alatri. Filmi ka në qendër një gjeometër 30-vjeçar që jeton me të ëmën dhe projekton të hapë një diskotekë së bashku me një grup miqsh.
Po ndërkohë ai punësohet në bashki, punë që nuk e tërheq aspak. Njohja me një vajzë të re i hap perspektiva të tjera të rëndësishme. Krahas aktorëve Fabio Volo dhe Valeria Solarino në këtë film interpretonte dhe një nga mjeshtërit italianë të aktrimit, Arnaldo Foa.
Shfaqja e filmave italianë në pallatin e kulturës do të vazhdojë deri në fund të këtij viti. Çdo të mërkurë, dashamirësit e kinemasë do të ndjekin një prodhim të ri kinematografik italian.
Lidhjet e hershme që Durrësi ka pasur me Italinë dhe kontaktet e vazhdueshme me kinemanë italiane, filmat e së cilës ndiqeshin përmes valëve televizive në çdo familje durrsake, mund ta bëjnë edhe më të lehtë këtë komunikim kulturor mes dy vendeve fqinjë. Shfaqja e këtyre filmave do të përbëjë gjatë sezonit veror edhe një mundësi më shumë argëtimi për mijëra pushues që frekuentojnë çdo vit qytetin dhe plazhin e Durrësit.
Vlen të theksohet se hyrja është e lirë, ndërkohë që filmat janë në gjuhën italiane të shoqëruar me titra në anglisht. Në javët e ardhshme është parashikuar projektimi i filmave si “Vincere” i Marco Bellocchios, “La notte prima degli esami” me regji të Fausto Brizzit etj.