Ditën e premte, më 20 prill, Durrësi do të ketë mbretëreshën dhe mbretin e ri të bukurisë. Prej disa ditësh, 32 vajza e djem të shkollave të mesme të qytetit kanë nisur provat për finalen e madhe të javës së ardhshme. Pas seleksionimit të konkurrentëve në gjimnazet e qytetit organizatorët e këtij aktiviteti kulturor janë përfshirë tashmë nga ethet e provave që intensifikohen më tepër me afrimin e momentit final.
Organizatorja e këtij spektakli bukurie, Myzejen Konduri, thotë se është gjithnjë bukur të punosh me këta të rinj që aspirojnë të bëhen pjesë e botës së spektaklit.
“Ashtu si çdo vit, edhe këtë edicion pjesëmarrësit janë përzgjedhur me kujdes dhe jemi të bindur se ata do të dinë ta përfaqësojnë shumë mirë bukurinë durrsake, siç kanë bërë në të kaluarën në aktivitetet kombëtare të këtij lloji. Natyrisht ata kanë vështirësi në fillim, pasi nuk janë mësuar me të ecurën skenike dhe shpesh janë të druajtur, po gjithsesi ne po punojmë me secilin prej tyre, në mënyrë që në finale ata ta përfaqësojnë sa më mirë”,- thotë Konduri.
Mosha e pjesëmarrësve në këtë spektakël bukurie varion nga 15 deri në 18 vjeç dhe për shumë prej tyre kjo është hera e parë që ngjiten në skenë. Konduri nënvizon gjithashtu një faktor tjetër të rëndësishëm që ka të bëjë me mbarëvajtjen e spektaklit, sigurimin e financimeve.
Moskonstituimi i këshillit të kulturës mban të bllokuar lëvrimin e fondeve për këtë aktivitet dhe sipas saj gjithçka do të mbulohet me sponsorizimet dhe donacionet, në pritje të arritjes së një marrëveshjeje mes anëtarëve të këshillit bashkiak. Mos aprovimi i emrave të propozuar për këtë këshill ka krijuar një ngërç të vërtetë për financimin e aktiviteteve artistiko-kulturore të qytetit.
32 vajza e djem në garë për të zgjedhur dy bukuroshët që do të përfaqësojnë qytetin tonë në aktivitetet kombëtare. Ethet dhe emocionet kanë përfshirë pjesëmarrësit që gjatë këtyre ditëve u janë nënshtruar provave intensive për t’u paraqitur sa më mirë ditën e spektaklit të bukurisë. Në datë 20 prill në pallatin e sportit do të kurorëzohen Miss dhe Mister Durrësi 2012
Meqë edicioni i radhës i spektaklit “Miss dhe Mister Durrësi 2012” zhvillohet në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë, organizatorët kanë menduar t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike të kombit tonë. Duke mos dashur të zbulojë para kohe surprizat e spektaklit, Konduri thotë se ngjyrat kuq e zi do të jenë pjesë e koreografive të përzgjedhura për natën finale.
Nga ana tjetër Konduri bën të ditur se këtë radhë anëtarët e jurisë do të surprizojnë publikun, sepse krahas funksionit të tyre parësor ata do të dinë të argëtojnë spektatorët. Kryetar i jurisë së këtij edicioni do të jetë drejtori i kulturës pranë bashkisë së Durrësit, Adrian Gura.
Ndërkohë regjia e spektaklit i është besuar Laura Nezhës, ndërsa koreografia do të mbajë vulën e Petraq Ramës. Nata finale e spektaklit të bukurisë durrsake do të mbahet në datë 20 prill, ora 18.00, në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.
Edicioni i parë i spektaklit “Miss Durrësi” u zhvillua në vitin 1996 dhe Miss-i i parë i qytetit tonë ishte maturantja Ermiona Lekbello. Disa vite më vonë, spektakli u shndërrua në “Miss dhe Mister Durrësi”.