Për të tretin vit radhazi Qendra Kulturore e Fëmijëve të Durrësit do të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar të valleve që organizohet për çdo vit nga televizioni shtetëror turk (T.R.T). Grupi i valleve i kësaj qendre do të përfaqësojë vendin tonë mes 40 vendeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet kulturor.

Në edicionin e 34-t të këtij festivali, vendi ynë do të përfaqësohet nga nëntë vajza të grupit të valleve nën koreografinë e Arjan Plakut. Këtë vit, organizatorët kanë kërkuar që vendet pjesëmarrëse të përfaqësohen nga grupe me 8-10 valltarë. Për çdo vit, komiteti organizativ i këtij festivali zgjedh një qytet turk për mbajtjen e tij. Këtë herë fëmijët nga 40 vende të botës do të mikpriten në qytetin e Konya-s.

Nata gala e këtij festivali që do të mbahet më 23 prill, ditën kombëtare të fëmijëve turq (turqit e quajnë këtë ditë Bajrami i fëmijëve), do të transmetohet drejtpërsëdrejti në T.R.T si dhe në televizionet shtetërore të vendeve pjesëmarrëse. Ky festival ndërkombëtar i valles ka si qëllim primar të shpalosë vlerat më të mira të traditës dhe kulturës së secilit vend pjesëmarrës dhe të përçojë tek fëmijët respektin dhe dashurinë për këto zakone që çdo komb i ka ruajtur dhe trashëguar ndër shekuj.

 

Grupi i valleve të QKF-së Durrës do të përfaqësojë vendin tonë në edicionin e 34-t të festivalit ndërkombëtar të valleve, në Turqi. Nëntë vajzat e vogla durrsake janë përzgjedhur mes konkurrentëve nga 150 vende të botës. Ky është viti i tretë radhazi që qendra kulturore merr pjesë në këtë eveniment ndërkombëtar 

Koreografi Arjan Plaku, i cili shoqëron për të tretin vit radhazi fëmijët e qendrës kulturore, shprehet se kjo është një eksperiencë mjaft e bukur për vogëlushët. “Ato do të përfaqësojnë në këtë eveniment vendin e tyre, vlerat e tij, vallet, kostumet dhe muzikën shqiptare para shumë vendeve pjesëmarrëse. Komiteti organizativ i këtij evenimenti ka përzgjedhur mes 150 materialeve filmike nga vende të ndryshme të botës, vetëm 40 prej tyre dhe kjo na vë para një përgjegjësie më të madhe. Në dy edicionet e kaluara ne kemi marrë pjesë në natën finale dhe kjo na bën që të jemi edhe më shumë të motivuar për t’u përfaqësuar sa më denjësisht”,- thotë Plaku për gazetën “Dyrrah”.

E veçanta e këtij festivali ndërkombëtar është fakti se fëmijët pjesëmarrës në të mikpriten në familjet turke të qytetit ku zhvillohet aktiviteti kulturor. Kjo ka bërë që krahas eksperiencës së fituar nga pjesëmarrja në të, fëmijët të vendosin kontakte me bashkëmoshatarët e tyre dhe familjet që u hapin dyert e shtëpive të tyre.

Plaku tregon se fëmijët e edicioneve të mëparshme vazhdojnë të kenë kontakte me shokët dhe shoqet që njohën në qytetet turke. Evenimentit kulturor i kushtohet një rëndësi maksimale nga autoritetet turke dhe këtë e dëshmon dhe fakti që në natën finale për t’u përshëndetur dhe për të uruar fëmijët pjesëmarrës vijnë presidenti, kryeministri dhe kryetari i parlamentit të Turqisë. Festivali ndërkombëtar i valles do të zhvillohet këtë edicion në qytetin e Konya-s, në datat 17-23 prill.

 

KONYA 2012
Grupi i fëmijëve pjesëmarrës
1.      Ivonë Ferri
2.      Kjara Xoxi
3.      Mergi Marku
4.      Gledis Lila
5.      Gledis Domi
6.      Xhoana Sufaj
7.      Alesia Reçi
8.      Fiona Mema
9.      Ibona Hajdari
Koreograf: Arjan Plaku

 

QKF

Përfaqësimi i Durrësit në festival

Grupi i valleve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve është përfaqësuar për herë të parë në edicionin e 32-të të këtij festivali, në vitin 2010, që u mbajt në qytetin e Izmirit. Fëmijët durrsakë përfaqësuan vendin tonë mes 70 vendeve pjesëmarrëse. Ndërkohë në edicionin e 33-të, të organizuar në qytetin e Bursës, vendi ynë mori pjesë mes 65 grupeve të ardhura nga vende të ndryshme të botës. Komiteti ekzekutiv i këtij festivali përzgjedh përmes materialeve filmike të dërguara nga shtete të ndryshme grupet më të mira të valleve, të cilat ftohen të marrin pjesë në edicionin e radhës. Gjatë ditëve të festivalit, juria përzgjedh numrat më të mirë, të cilët paraqiten në natën finale, e transmetuar direkt në televizionin shtetëror turk. Koreografi Arjan Plaku shprehet se këtë vit vajzat e përzgjedhura do të përpiqen të përfaqësojnë sa më mirë vendin tonë, që feston edhe 100-vjetorin e pavarësisë së vendit. Në të njëjtën kohë, Plaku vlerëson impenjimin e secilës nga vajzat, që pavarësisht moshës së vogël tregojnë maturi dhe profesionalizëm gjatë interpretimit të numrave artistikë.