Ish-kandidati për deputet i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, i cili është i dyshuar i Prokurorisë Speciale të Kosovës për vepra terroriste të përgatitjes së vrasjeve të përfaqësuesve të lartë të Kosovës, ka provuar të ikë dje nga Kosova.

Ai është zënë në Durrës, nga policia kufitare shqiptare, e cila mësohet se ka kërkuar prej autoriteteve kosovare ndihmë për konfirmimin e identitetit të tij.

Arrestimin e Ramabajës e kanë konfirmuar edhe Policia e Shqipërisë edhe ajo e Kosovës.

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se Ramabaja ka tentuar të hip në tragetin Durrës-Itali me dokumentin e falsifikuar “leje qëndrimi franceze”.

Lajmi.net merr vesh se Ramabaja ka tentuar të kalojë nga Durrësi në Itali me leje qëndrimi të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mikut të tij, Xhevat Bislimi, i cili po ashtu ishte kandidat për deputet nga Vetëvendosje.

Xhevat Bislimi është intervistuar më herët nga Prokuroria Speciale e Kosovës si pjesë e grupit që dyshohet se është përfshirë me organizatën terroriste “Syri i Popullit” dhe sulmuesin e Azem Vllasit, Murat Jasharin, në përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.