Gjykata Supreme e Kroacisë ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë të një gjykate lokale për të ekstraduar në Serbi Ismail Morinën, personin i cili fluturoi mbi Stadiumin e Beogradit dronin me flamurin me simbole shqiptare.
Morina kërkohet në Serbi për nxitje të urrejtjes etnike dhe raciale.
Media serbe “B92” thotë se vendimi është publikuar në websajtin zyrtar të Gjykatës Supreme të Kroacisë. Në të thuhet se është refuzuar apelimi i avokatit të Ismail Morinës.
Ky është vendimi përfundimtar i Gjykatës dhe sipas procedurës ligjore, tashmë do të jetë në dorë të Ministrit kroat të Drejtësisë për të dhënë vendimin përfundimtar.





