Prej 22 qershorit, kohë kur u hapën të dyja senset e rrugës në nënkalimin e ndërtuar përballë hyrjes së portit, punimet janë ndërprerë në sheshin qendror të Durrësit.

Punëtorët e firmës zbatuese janë larguar prej andej, ndërsa nuk ka ende një vendim nga gjykata Administrative apo gjykata e Apelit për vendimin e zhbllokimit të punimeve.

Kushdo që kalon në këtë rrugë shumë të frekuentuar përballet me një shesh të hapur dhe një kullë betoni të shëmtuar për sytë e njerëzve dhe të pushuesve që kalojnë aty. 

“DurrësLajm” u interesua në bashki dhe mësuam se ende nuk ka dalë edhe raporti i Agjencisë Kombëtare të Arkeologjisë, raport nga i cili varet e ardhmja e punimeve në këtë shesh.

Pak ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit u bë e mundur hapja e nënkalimit në të dy senset duke zhbllokuar trafikun e rënduar në këtë shesh, i cili është urë lidhëse e shëtitores “Taulantia” me qytetin dhe me kryeqytetin.

Më herët Gjykata e Apelit në Durrës, njësoj si gjykata e Rrethit e ajo Administrative, ka vendosur ndalimin e punimeve në zonën arkeologjike A të sheshit ku ndërtohet projetkti “Veliera”. Por pavarësisht vendimeve të njëpasnjëshme, punimet në pjesën më të madhe të sheshit janë mbyllur. Pjesa më e madhe e punimeve nëntokësore ka përfunduar. Po ashtu në pjesën përpara hyrjes së portit dhe në rrugën nacionale.

Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë kërkuar Prokurorisë së Durrësit të marrë masa ndaj Bashkisë Durrës që vijoi punimet në shesh, duke mosrespektuar vendimet e gjykatave.

Projekti “Veliera” është projektuar nga firma italiane e arkitekturës Archea Associati e arkitektit të dënuar në Itali Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë. Projekti “Veliera” ka një vlerë prej rreth 6 milionë Euro.

K.H.