Pas apelit të bërë në media nga shtetasja Merita Brama nga Fushë-Kruja e cila kërkonte ndihmë se dhunohej nga ish-burri dhe ndjen frikë për jetën e saj, ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Shtetit.
Merita i shkroi Nismës Thurje, dhe kjo e fundit në faqen e saj të “Facebook”-ut publikoi mesazhin tronditës të gruas e cila kishte frikë se mos pësjë të njëjtin fat tragjik si gjyqtarja e ndjerë Fildez Hafizi, që u vra nga ish-burri.
Pas akuzave se policia dhe prokuroria nuk lëvizin as gishtin, Policia ka reaguar me një njoftim për shtyp, ku bën me dije se ka kryer disa tentativa për kapjen e personit në fjalë në zonën ku dyshohet se qëndron i fshehur.
“Policia e Shtetit ka administruar kallëzimin e shtetases M.D. dhe ka angazhuar gjithë kapacitetet e saj për vënien para përgjegjësisë së autorit të dyshuar.
Policia Vendore ka kryer disa tentativa për kapjen e tij në zonën ku dyshohet se qëndron i fshehur. Këto operacione nuk do të ndalin deri në kapjen e tij”, thuhet në njoftim.
Policia i bën thirrje gjithashtu personave që e ndihmojnë apo strehojnë të kërkuarin se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për përkrahjen e një autori krimi.
“Ndërkohë ftojmë këdo që ka informacion në lidhje me vendndodhjen e shtetasit Agim Doçi të telefonojnë falas në 129.
Për shtetasen është ofruar ndihma policore si për çdo rast tjetër dhe këto denoncime trajtohen me shumë përgjegjësi.
Edhe në takimin e një dite më parë Drejtori Çako u ka kërkuar drejtuesve vendorë të trajtojnë me shumë seriozitet problematikën e dhunës në familje”, përfundon njoftimi i policisë.





