Tri raste dhune janë regjistruar në qarkun e Durrësit gjatë 24 orëve të fundit, duke ritheksuar edhe njëherë këtë plagë të rëndë prezente në familjet shqiptare.

Dy prej viktimave janë gratë e dhunuara nga bashkëshortët e tyre, ndërsa raportohet edhe për një burrë të dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga e shoqja 5 vjet më e re. Njëri prej burrave dhunues, i cili edhe e ka kërcënuar në banesë bashkëshorten, është shpallur në kërkim.

Tri rastet:

*Më datë 01.09.2017, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin R.A., vjeç 35, pasi dyshohet se bashkëshortja, shtetasja E.A. vjeçe 30 ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr. 9669 datë 18.12.2006. “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet  familjare”.

*Më datë 31.08.2017, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen E.J. vjeçe 29, pasi dyshohet sebashkëshorti, shtetasi I.J., vjeç 31, ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006. “Për masat ndaj dhunës  në marrëdhëniet familjare”.

*Më datë 31.08.2017, u referuan materialet Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Durrës dhe punohet per kapjen e shtetasit I.A. vjeç 37 banues në Shijak, pasi dyshohet se rreth orës 18:00, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe ka kërcënuar bashkëshorten, shtetasen R.A., vjeç 34 Neni 130/a  i Kodit Penal.

Kujtojmë që vetëm një ditë më parë, një krim i rëndë në famije shokoi mbarë opinionin publik, ku në Tiranë u vra nga ish-bashkëshorti gjyqtarja Fildes Hafizi, nënë e dy fëmijëve dhe e divorcuar dy vjet më parë nga autori, Fadil Kasemi.