Ish-hotel “Vollga”, streha e narkomanëve të Durrësit, është përfshirë nga zjarri pasditen e sotme. Vetëm nga ndërhyrja e zjarrfikësve është bërë e mundur që zjarri të vihet nën kontroll, pasi shpërtheu në ambientet e ish-hotelit në katin e parë.
Bidona plastikë, veshje, batanije e sende të tjera që përdorin për të qëndruar të pastrehët e narkomanët e Durrësit u përfshinë nga flakët, duke bërë që të kërkohej ndërhyrja e automjeteve zjarrfikëse të qytetit. Ish-hoteli i famshëm “Vollga”, gjendet në qendër të Durrësit dhe prej kohësh është kthyer në vend për narkomanët e qytetit. Hoteli ka përfunduar në gjykatë, pasi pronësia e tij ka kaluar nëpër disa duar, dhe shit-blerja rezulton fiktive apo nëpërmjet dokumentacionit jo të ligjshëm.
Më 19 prill të vitit 2016, Gjykata e Durrësit me kërkesë të prokurorisë, sekuestroi truallin dhe ndërtesën e njohur si ish-hotel “Vollga” në sheshin “Taulantia” të Durrësit. Vendimi është marrë dy ditë pas arrestimit të Emiljano Shullazit, që dyshohet se me anë të kërcënimeve dhe dhunës e ka përvetësuar këtë pronë me kontratë dhurimi.
Sipas vendimit, kjo pronë sekuestrohet deri në një vendim tjetër, duke bllokuar shitjen apo tjetërsimin e saj. Rezulton se kjo ndërtesë bashkë me truallin e saj ka qenë në pronësi të një kompanie arabe, e cila një pjesë të sipërfaqes ia ka shitur pjesëtarëve të familjes Kodra me vlerën e 670 mijë eurove. Kjo shumë, mendohet se është përfituar me anë të gjobës që grupi i Shullazit i ka vendosur një pronari të disa qendrave tregatre. Por një muaj pas këtij transaksioni bankar, shoqëria arabe i ka kaluar pjesën tjetër me akt-dhurimi Emiljano Shullazit në shenjë mirënjohjeje. Kjo kontratë, me anë të kanosjes dhe dhunës ndaj zyrtarëve të hipotekës së Durrësit dhe Tiranës është regjistruar në emër të të dyshuarit Emiljano Shullazi. Përfitimi i kësaj prone, thonë burimet e prokurorisë, është kryer me anë të “falsifikimit të dokumenteve”, “shpërdorimit të detyrës” e akuzën e pastrimit të parave në kuadër të organizatës kriminale.
Godina e ish-hotelit është në zemër të qytetit të Durrësit, fare pranë Torrës Veneciane në një prej pikave më të lakmueshme për investitorët. Megjithatë godina e madhe hijerëndë deri para pak vjetësh, ka qenë funksionale në një pjesë të saj. Aktualisht është kthyer në turpin e qytetit bregdetar. Pothuajse është vjedhur çdo gjë brenda tij, dhe ish-dhomat e dikurshme janë kthyer në gërmadha e strehë për endacakët e narkomanët.
Pak histori mbi hotelin më modern dhe prestigjioz
Punimet e tij nisën në 1938-n nga shteti italian. Në ndërtimin e hotelit u angazhuan firma prestigjioze italiane dhe italo-shqiptare si: Feltrinelli SRL, Shoqëria anonime Calcionomida, Impresa Staccioli-Fortuzi, impresa Marinucci etj. Hoteli 3-katësh kishte një sipërfaqe totale të shfrytëzueshme prej 3426 metrash katrorë. Ai konsiderohej si hoteli më modern dhe prestigjioz i Shqipërisë, pas hotel “Dajti”-t në Tiranë, të inauguruar nga Mëkëmbësi Mbretëror Francesco Iacomoni.
Hoteli u inaugurua më 21 prill 1940, me emrin “Hotel dei Dogi” (“Hoteli i Doxhëve” që i referohet Doxhëve të Venedikut). Në inaugurimin e hotelit krahas autoriteteve lokale si Prefekti, Kryetari i bashkisë (podesta) dhe Federali fashist i Durrësit, morën pjesë edhe dinjitarë italianë si nën-sekretari i Ministrisë Italiane të Kulturës Popullore, Commentatore Mario Mengoni, përfaqësuesi ENITEA-s dhe drejtor i parë i hotelit, Konti avokat Guidi, konti Martinomi, Senatori Carlo Bonari, komandanti i piacës ushtarake të Durrësit, Gjeneral Gallino, Gjeneral Petroli Cicognara, etj. Në të njëjtën kohë, bulevardi i qytetit (sot “Rruga Tregtare”, ish-“Bulevardi Enver Hoxha”) u emërua “Viale Vittorio Emanuele III, Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë”.
K.H.





