Detaje të tjera mësohen rreth dy atentatorëve të cilët tentuan të vrisnin Dashamir Gjokën, dy ditë më parë, në afërsi të godinës së Komunës Xhafzotaj.
Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bejnë të ditur se Morel (36 vjeç) dhe Enkeli (31 vjeç) Kërtalli janë vëllezër të Elvin Kërtallit 37-vjeçarit që mbeti i ekzekutuar mbrëmjen e 26 gushtit të vitit 2013 në qendër të Qytetit të Shijakut.
Për atentatin e 4 viteve më parë, policia u shpreh në atë kohë se Kërtalli u vra gabimisht, pasi objektiv i atentatorëve ishte shoku i tij, Dorian Zotaj.
Atentati i 26 gushtit 2013, humb jetën Elvin Kërtalli
Një person është ekzekutuar me automatik dhe pistoletë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati të ndodhur mbrëmjen e së hënës së 26 gushtit 2013, në qytetin e Shijakut. Ngjarja e rëndë është regjistruar në qendër të qytetit, përpara godinës së Albtelekomit. Viktimë e atentatit ka mbetur Elvin Kërtalli, 37 vjeç, banor i qytetit, ndërsa është plagosur shoku i tij Dorian Zotaj, lindur në Shijak e banues në Tiranë. Sipas policisë e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Kërtalli, nën shoqërinë e të vëllait dhe shokut të tij Dorian Zotaj, sapo kishin dalë nga një pikë Eurollotoje, dhe gjatë kohës që po lëviznin në këmbë për të shkuar pranë automjeteve janë qëlluar me një breshëri armësh zjarri, nga tre persona të cilët po lëviznin me një automjet tip Audi pa traga, duke lënë një të vdekur dhe një të plagosur. Menjëherë pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, në drejtim të paditur, ndërsa të dëmtuarit janë transportuar drejt spitalit rajonal të Durrësit nga kalimtarë të rastit. Elvin Kërtalli, 37 vjeç, babai i tre fëmijëve, mësohet të ketë ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa personi që ka mbetur i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve. Fatmirësisht si pasojë e atentatit nuk ka pësuar lëndime vëllai i viktimës, i cili ndodhej vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, duke shpëtuar mrekullisht. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë së Shijakut e Durrësit, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Non Grata
37-vjeçari Kertalli, babai i tre fëmijëve, më herët emigrant në Itali, nuk njihej si person problematik nga drejtësia shqiptare, por as nga banorët e qytetit ku jetonte. Sipas bashkëqytetarëve të tij, ai ishte kthyer nga Italia prej më shumë se 10 vitesh dhe që prej asaj kohe nuk ishte larguar, duke ndërtuar jetën e tij në qytetin e lindjes. Por, nga ana tjetër policia bën me dije se Elvin Kërtalli, ishte i padëshiruar në shtetet evropiane, që prej kthimit të tij nga emigrimi. Ai nuk kishte një pune fikse, por merrej me aktivitet të ndryshme, me qëllim mundësimin e një jetese sa më të mirë familjarëve të tij.





