Lewis Hamilton e di mjaft mirë se do të jetë i detyruar të sulmojë ditën e diel në garën e Belgjikës për të rrëmbyer sa më shumë pike karshi Sebastian Vettel, me këtë të fundit që ka 14 pikë avantazh karshi britanikut. “Në këtë pjesë të dytë të sezonit vlen shumë ngjitja gjithnjë në podium, rregullsia nga gara në garë. Ferrari është para nesh pasi ka qenë më konstante, jo më e shpejtë. Ndaj tani ne duhet të përmirësohemi, për të qenë më të shpejtë dhe më konstantë se ata. Por edhe Bottas është një rival për titull, ashtu si Vettel. Nëse arrijmë fitore të dyfishta, do të arrijmë ta kalojmë Ferrarin”, deklaroi Lewis Hamilton. Piloti britanik i Mercedes beson se puna në skuadër do ta ndihmojë për të fituar titullin kampion.

Kohët e fundit është përfolur për një transferim të mundshëm të Hamilton te skuadra Ferrari, ndërkohë që kjo e fundit, pas rikonfirmimin të Raikkonen, pret edhe rinovimin e Vettel. Ky rinovim i gjermanit po vonohet, çka mund të sjellë edhe transferimin e Vettel te Mercedes, në vend të Bottas. “Mendoj se ardhja e Vettel te Mercedes është e vështirë të ndodhë, pasi ai nuk do të më ketë si shok skuadre. E di këtë gjë, pasi ai preferon situatën aktuale te “kokëkuqja”, ku dikush tjetër punon për të”, tha Hamilton. Sot, në pistën e SPA, do të zhvillohen provat e lira të garës së Belgjikës në Formula 1.