Në kuadër të respektimit të figurave të njohura sportive, të cilat kanë kontribuar në fusha të ndryshme duke arritur rezultate të larta sportive ndër vite, Federate Shqiptare e Peshëngritjes organizoi një kampionat ku testohen të rinjtë që aspirojnë në këtë sport, të grupmoshës 15 dhe 17 vjeç.
Sportistët e rinj përgatiten për kampionatin europian, i cili do të organizohet në fund të muajit shtator në Kosovë, bën me dije sekretari i përgjithshëm i FSHP, Agron Haxhihyseni, njëkohësisht mjeshtër sporti i Evropës, ku ekipi shqiptar do të përfaqësohet nga 8 sportistë.
Nga gara e zhvilluar në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, për moshën 15-vjeçare, në vendin e parë është renditur sportistja Besiana Koni, e cila i përket ekipit të Partizanit, ndërsa për meshkuj sportisti Kristi Ramadani i ekipit Tirana.
Në vendin e parë për grupmoshën 15-vjeçare, kategoria meshkuj, është pozicionuar ekipi i Massglas me 477 pikë, i ndjekur nga Teuta në vendin e dytë me 193 pikë dhe Vllaznia në vendin e tretë me 153 pikë.
Ndërsa për grupmoshën 17-vjeçare ekipi Massglas ka grumbulluar 602 pikë, i ndjekur nga Teuta me 554 pikë dhe Stërmeni me 321 pikë.
Ekipi i Tiranës në kategorinë e femrave 17-vjeçare ka grumbulluar 330 pikë, duke u pozicionuar në vend të parë dhe ekipi i Partizanit ka rrëmbyer vendin e parë me 252 pikë, në kategorinë e femrave 15-vjeçare.





