Manchester United ka konfirmuar se Zlatan Ibrahimovic i është ribashkuar klubit gati tre muaj pas largimit të tij nga “Old Trafford”.“Manchester United lajmëron se Zlatan Ibrahimovic do ta vazhdojë aventurën e tij me klubin dhe ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare.
Ai do të veshë fanellën me nr. 10,” shprehet klubi nëpërmjet një komunikate zyrtare.Sulmuesi suedez bëri 46 paraqitje dhe shënoi 28 gola për klubin gjatë sezonit të kaluar përpara se të pësonte një dëmtim të rëndë në gju.
35-vjeçari është filmuar duke veshur fanellën e re në palestër. “Jam rikthyer për të mbyllur atë që nisa,” ishin fjalët e tij pas nënshkrimit.
“Gjithmonë ka qenë qëllimi im, dhe i klubit. Po pres me padurim që të zbres sërish në fushën e “Old Trafford”. Por duhet ta marr shtruar dhe të sigurohem që jam gati. Kam punuar shumë dhe do të sigurohem që të jem në kondicionin më të mirë të mundshëm fizik.”





