Partia Socialiste dega Durrës ka reaguar pas shpërthimit në zyrën elektorale të LSI-së dhe pas akuzave të Lefter Kokës se pas kësaj ngjarjeje qëndrojnë disa eksponentë të PS-së në bashkëpunim me policinë.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare në “Facebook”, PS thotë se distancohet nga ky akt vandal duke e dënuar rëndë, dhe kërkon nga autoritetet zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes.

Madje PS ngre dyshimet se kjo mund të jetë edhe një ngjarje e inskenuar nga vetë LSI-a, për të cilën thotë se ka pasur si “synim përdorimin e saj për qëllimet elektorale të ditës”.

REAGIMI I PLOTË:

Në radhë të parë dënojmë ngjarjen e sotme dhe distancohemi nga ky akt i turpshëm vandal.

Kërkojmë nga organet ligjzbatuese hetimin dhe zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes, e cila nuk i shërben aspak zhvillimit normal të procesit zgjedhor.

Shprehim keqardhje që LSI ende pa u kryer asnjë hetim nga organet ligjzbatuese nxiton të akuzojë.

Nxitimi për të akuzuar, më së shumti, ngre dyshimet për një ngjarje të inskenuar nga vetë LSI me synim përdorjen e saj për qëllimet elektorale të ditës.

Asnjë tentativë për tensionimin e situatës nuk do mund të dalë me sukses pasi fushata në tërësi ka qenë e qetë dhe pa probleme.

Qytetarët e Durrësit e refuzojnë dhunën dhe tensionin pasi duan të shkojnë të qetë drejt kutive të votimit për të shprehur me votë vullnetin e tyre të lirë.