Rritja e temperaturave ka shtuar rastet në urgjencën e pediatrisë së Durrësit. Sipas shefit të repartit të pediatrisë, vetëm në 24 orë stafi mjekësor pret rreth 115-120 vizita në ditë, një shifër e lartë për qytetin bregdetar. Rritja e temperaturave, ekspozimi në diell dhe fakti që përdoret ushqim jo cilësor, janë disa nga shkaqet e rritjes së fluksit të të vegjëlve që paraqiten për ndihmë mjekësore pranë urgjencës së pediatrisë. Infeksionet e marra nga frekuentimi i plazheve apo edhe vizitat e syve për fëmijët që frekuentojnë kopshtet apo shkollat kanë bërë që të rritet ndjeshëm numri i fëmijëve, të cilët kërkojnë ndihmë në urgjencën e pediatrisë së durrësit. Shefi i pediatrisë, Fatmir Shahini, thotë se vihet re një fluks i shtuar pacientësh të vegjël, që kërkojnë ndihmë shëndetësore, pasi janë prekur nga viroza të ndryshme.

Pediatri Shahini ka një apel për të gjithë prindërit; të kenë kujdes me të vegjlit përgjatë periudhës së verës, por të kujdesen njëkohësisht edhe për veten e tyre. Sipas tij, duhet evituar ekspozimi me orë të zgjatura në diel, duhet treguar kujdes me ushqimin dhe duhet konsumuar sa më shumë ujë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në urgjencën kryesore të spitalit rajonal Durrës, ku ka pasur një shtim të rasteve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht fluksit të lartë, stafi mjekësor i pediatrisë, por edhe ai i urgjencës shprehen se situata po përballohet me sukses.

K.H.