Policia e Durrësit ka zbuluar një lokal në Sukth që shërbente si bazë për ushtrimin e prostituonit, ku dy pronarët e tij, një burrë e një grua, punësonin femra si kamariere dhe i shfrytëzonin më pas ato për prostitucion në hotele afër tij.
Si rezultat i operacionit të koduar “Bujtina”, i finalizuar pas një hetimi 2-mujor me metoda speciale, u arrestuan 4 persona, dy pronarët, një vajzë që ushtronte prostitucion dhe një klient.
Të arrestuarit janë:
• P. B. 66 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, tutor, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
• S. G. 60 vjeçe, banuese në Sukth i Ri, Durrës, tutore;
• B.S. 34 vjeçe, banuese në Durrës, e dënuar më parë për veprën penale “Prostitucion”.
• P. L. 43 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, klient.
Seks kundrejt 2-3 mijë lekëve
Nga veprimet hetimore të kryera për rreth 2 muaj rezulton se shtetasit P. B. dhe S.G. në lokalin e tyre në Sukth, kishin punësuar femra si kameriere, të cilat i ndërmjetësonin ato me qëllim për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës 2000 – 3000 lekë, me klientë të këtij lokali.
Policia sqaron se shtetësja B.S. është kapur në flagrancë në një hotel afër lokalit së bashku me klientin me iniciale P.L.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale:
• “Shfrytëzim prostitucioni” në bashkëpunim dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, në ngarkim të shtetasve P.B. dhe S.G. parashikuar në nenet 114, 25 dhe 115 të Kodit Penal;
•“Prostitucion” në ngarkim të shtetasve B. S. dhe P. L, parashikuar në nenet 113 të Kodit Penal.





