Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është filmuar teksa ndërhyn në një operacion të prokurorisë për të sekuestruar disa prozhektorë, që dyshohet se kanë shkaktuar helmimin e dhjetëra personave në mitingun hapës të Partisë Demokratike, të shtunën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndryshe sa përcaktojnë kompetencat e tij si funksionar i dikasterit të Ministrisë së Brendshme, Ministri teknik Demiraj ndërhyn në hetimet e prokurorisë dhe nuk lejon oficerët e Policisë Gjyqësore që të marrin prozhektorët, si provë për hetimin.

Argumenti që ai jep është se prozhektorët i duhen kompanisë për aktivitetin e një subjekti politik.

Ministri Demiraj: Janë për fushatë nesër.

OficeriPo dakord që janë për fushatë, por.

Ministri DemirajKtheji të gjitha mbrapa. Merrni vetëm 1 dhe vazhdo procedurën konform ligjit. Dakord? Jo të 12-ta.

Oficeri: 11 kam unë këtu, aq sa kanë qenë në miting.

Ministri Demiraj: Po pra, por s’mund t’i marrësh të 11-ta se nesër ka miting subjekti politik. Ne nuk jemi këtu për të penguar subjektet politike.

Oficeri: Jo mo shef, se as e vë në diskutim fare unë këtë…

Ministri Demiraj: Të marrësh vetëm 1. Të tjerat… merre, 1 dhe bëje hetimin.

Kush i ka ngarkuar ata? Ktheji mbrapsht! Ku është ai i zoti i kësaj? Ke nesër aktivitet politik?

Përfaqësuesi i kompanisë: Po

Ministri Demiraj: Ku e ke?

Përfaqësuesi i kompanisë: Po s’e di, se na u ndërpre e gjithë procedura nga kjo punë. 

Ministri Demiraj: Kjo s’ka sens mo… O çuna, kjo s’ka sens. Si merren 12 drita të objektit, të firmës që ka aktivitetin për subjektin politik. Me ç’a do e bëjë aktivitetin nesër ky.

Sipas Ministrit, Prokurorisë nuk i duhet të hetojë mbi të 12 prozhentorët, por i mjafton vetëm një.

Ministri Demiraj: Atë nuk është se… duhen të 12 –ta për të bërë hetim. Hetimi bëhet mbi 1 dhe dilet në konkluzion. Ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen 12 armë.

Oficeri i policisë gjyqësore tenton t’i shpjegojë se kështu ka vendosur prokurori që kryeson hetimet. Por Demiraj i kërkon të mos e zbatojë vendimin e prokurorit dhe e urdhëron t’i kthejë prozhektorët e sekuestruar.

Oficeri: O shef, ne kështu na kanë thënë…

Ministri Demiraj: Kthejini shpejt, shpejt. Urgjent! Kthejini mbrapa, vetëm 1 do merrni.

Sipas Prokurorisë, helmimi mund të jetë shkaktuar nga dritat e prozhektorëve. Por nuk dihet se nga cili prej tyre, pasi vetëm një pjesë e pjesëmarrësve u infektuan. Për të zbuluar se cili nga prozhektorët mund ta ketë shkaktuar ketë efekt dhe nëse kanë qenë prozhektorët shkaktarë, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e tyre si provë për ekzaminim.

Por ndërhyrja e Ministrit, jo vetëm e pengon hetimin, por kompromenton edhe provat hetimore, duke i lënë ato të pambikëqyrura, ndryshe nga sa ka urdhëruar prokurori, i cili është autoriteti i vetëm që vendos mbi hetimin.