E ndërsa kishin mbetur vetëm 24 orë kohë që PD të plotësonte mangësitë në lista, kjo e fundit ende nuk është paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për dorëzimin e listave të plota.
Kreu i KQZ-së, Klement Zguri u shpreh se PD ende nuk është paraqitur me listat, duke shkelur afatin 24 orë që i ishte lënë.
Të njëjtin shqetësim ndau edhe anëtari i Komisionit, Bledar Skënderi, i cili shtroi mendimin se procesi duhet shtyrë duke i vënë afat kohor tjetër PD-së.
“Dje na u komunikua që listat duhet të vinin. I dhamë 24 orë kohë për të plotësuar mungesat subjektit zgjedhor. Sot jemi në kushtet që nuk është paraqitur nga subjekti asnjë shtesë për listat, që është i nevojshëm. Të ndodhur në këto kushte, duhet të shtyjmë më tej procesin, të hedhim shortin për fletët e votimit, dhe pastaj presim PD-në të na dorëzojë listat,” tha Skënderi.
KQZ mori vendimin për të shtyrë afatin për listat e PD-së deri nesër në orën 09:30.





